Prokuroria Speciale ne Kosovë po heton për një varrezë të tretë me eshtra të civilëve shqiptarë, të vrarë nga serbët në komunën e Zubin Potok.
Në njoftimin e saj të fundit, organi i akuzës deklaron se ka dërguar në terren hetues të shoqëruar nga ekspertë të institutit mjeko ligjor në bashkëpunimin e Policisë së Kosovës për të mbledhur mostrat, dhe më pas për të bërë analizimin dhe identifikimin e tyre.
Vendndodhja e tretë mendohet se është afër fshatit Kulludër e Madhe dhe Jabukë ku ditët e fundit janë zbuluar dy varreza të tjera masive, të dyshuara se kanë qenë vendprehja e fundit e shqiptarëve të Kosovës që kanë duke shkuar drejt kufirit, për t’i shpëtuar luftës së vitit ’99, edhe pse Prokuroria thotë se për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, nuk mund të japë informacione të mëtejshme lidhur me gjetjet.
Në këtë fazë, gjetjet e marra nga fshati Jabukë i janë nënshtruar tashmë ekzaminimeve, ndërsa në Kulludër të Madhe po vijojnë gërmimet.
Kulludra e Madhe mendohet se është vendi ku janë vrarë 23 shtetas, të konsideruar prej tre dekadash si të zhdukur dhe të njohur si grupi i intelektualeve të Mitrovicës.
Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, por takimi përfundoi pa ndonjë rezultat.
Nga lufta e fundit në Kosovë nuk dihet ende fati I mbi 1500 personave të zhdukur./abcnews.al


