Kosovë, certifikohen rekrutët e rinj të ushtrisë

schedule16:30 - 9 Gusht, 2019

schedule 16:30 - 9 Gusht, 2019

Në Kosovë janë certifikuar të premten rekrutët e rinj të ushtrisë. I pranishëm në këtë ceremoni, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka deklaruar se ushtria kosovare nuk kërcënon askënd, por as do të lejojë askënd që ta cenojë. Ndërkohë, ai ka përsëritur se kufijtë e Kosovës mbeten të paprekshëm.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zgjedhur ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të Ushtrisë së Kosovës, për t’iu kundërpërgjigjur Serbisë.

Ditë më parë shefi të Shtabit të Ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviç, ka thënë se Serbia ka përkrahjen e ushtrisë ruse se si të veprojnë në situatën e Kosovës.

Por Veseli ka thënë se Kosova, nuk e kërcënon askënd por as nuk do të lejojë askënd të cenojë atë. Sipas tij, Ushtria e Kosovës është element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës: “Ushtria e Kosovës është element kyc i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne nuk kërcënojmë askënd, por as nuk do të lejojmë askënd të cenojë lirinë dhe shtetin tonë”.

Ndërsa tha se kufijtë e shtetit të Kosovës janë  të paprekshëm.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës: “Integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë dhe të paprekshëm”.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj nëpërmjet një statusi në Facebook ka shkruar se transformimi i FSK-së ushtri po merr krah.

Ndryshe, 337 pjesëtarë, 22 prej komuniteteve pakicë e kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik 9 javor, dhe i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është gjenerata e parë e rekrutëve që i bashkohen FSK-së pas mandatimit me misionin e ri./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!