Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj gjatë konferencës për shtyp mbi “strategjinë e imunizimit dhe planin e vaksinimit kundër COVID-19”, deklaruan se qeveria e tij ka siguruar sasi të konsiderueshme të vaksinës.
“Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina”, tha Hoti.
Kosova do të sigurojë 360 mijë vaksina edhe përmes programit COVAX. Qeveria ka dhënë detaje mbi strategjinë e imunizimit në bazë të cilit përcaktohen kriteret e vaksinimit të qytetarëve.
Në bazë të kësaj strategjie qendrat e mjekësisë familjare do të udhëzohen të përgatisin listat e qytetarëve që duhet të vaksinohen.
Decentralizimi i sistemit shëndetësor në menaxhimin e pandemisë duket se do të sigurojë më shumë të vaksinuar në një kohë më të shkurtër.
“Listat do të bëhen publike. Kapaciteti ditor i Institucioneve shëndetësore është të vaksinohen 20 mijë qytetarë brenda ditës. Parashikojmë që brenda një kohe të shkurtër të vaksinohet pjesa më e madhe e qytetarëve”, shtoi më tej ai.
Edhe pse fillimisht Kosova u kritikua se ishte e vonuar për sigurimin e vaksinës anti-covid, sa duket tashmë është disa hapa përpara Shqipërisë, jo vetëm për sigurimin e tyre, por edhe në veçimin e fondit, e vaksinimin e popullsisë.
Shqipëria ka siguruar 500.000 doza të vaksinës kundër COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer.
Edhe Maqedonia e Veriut ka arritur të sigurojë 833 mijë doza të vaksinës, të mjaftueshme për vaksinimin e 400 mijë qytetarëve.
Shteti i parë ne rajon që ka siguruar vaksinën kundër koronavirusit është Serbia.
/abcnews.al/