“Kosova po humbet kredibilitetin”/ Eurodeputetja Viola Von Cramon kritika për qëndrimet e Prishtinës

schedule23:14 - 14 Gusht, 2023

schedule 23:14 - 14 Gusht, 2023

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për veprimet që ka ndërmarrë në lidhje me tensionet në veri të vendit.

Në një intervistë në TËVË 1, eurodeputetja akuzoi Prishtinën se po i drejton gishtin Serbisë si fajtore për situatën e krijuar, edhe pse ajo vetë nuk i ka përmbushur detyrimet e saj.

” Kosova është mirë të fokusohet më shumë tek vetja dhe t’i kryejë obligimet që i ka marrë përsipër. Ju nuk bëni kurrfarë ndryshimi nëse e drejtoni gishtin diku tjetër. Së paku ky është qëndrimi i institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian. Nëse Kosova dëshiron të bëhet një lojtare e rëndësishme në mesin e komunitetit ndërkombëtar, atëherë duhet ta dëshmojë fillimisht se është një lojtare kredibile, por këtë nuk është duke e treguar”, tha ajo.

Si zgjidhje e mundshme për qetësimin e situatës, zyrtarja e lartë e Brukselit ka propozuar tërheqjen e plotë të njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

“Do të ishte veprim i duhur që të largohen njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në veri. Para se të flisni për palën serbe është më mirë që fillimisht t’i kryeni detyrat e juaja”, theksoi ajo.

Qeveria e Kosovës ka tërhequr aktualisht 50 për qind të njësive speciale nga katër komunat e veriut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!