Ministria e Drejtësisë së Kosovës, ka paditur Komunën e Budvës në Malin e Zi dhe kompaninë “Sunraf beach properties”, duke kërkuar kthimin e rreth 37 mijë metrave katrorë që ndodhen në Gjirin e Kamenovës, dhe në shëtitoren Rafaillovac në Budva.
Mediat malazeze raportojnë se sipas akt padisë, Kosova pretendon se 33 mijë metra katrorë në Gjirin e Kamenovës, i cili dikur ishte vendpushimi i punëtorëve të ndërmarrjeve publike dhe nxënësve të Kosovës, i përket ish-kompanisë “Rekreatus” nga Prishtina, dhe jo kompanisë qe mban aktualisht emër, selia e së cilës është në Budva.
Autoritetet e Prishtinës pretendojnë gjithashtu pronësinë edhe të 4500 metrave katror të një prone që gjendet në shëtitoren Rafailloviç në Budva, e cila është përdorur dikur si shtëpi pushimi për fëmijët.
Për këtë të fundit, qeveria e Kosovës, ka paraqitur një akt shitblerje të nënshkruar më 22 mars 1961 në Gjykatën e Kotorrit, për të cilën rezulton të jetë në pronësi të Këshillit Social për Çështjet Politike dhe Sociale.
Padia është dërguar në Gjykatën e Kotorrit, ku dhe është hapur procesi gjyqësor.
Qeveria e Prishtinës kërkon nga Gjykata, miratimin e një mase të përkohshme që ndalon asgjësimin dhe tjetërsimin e pronës, deri në përfundim të procesit gjyqësor.
Në këtë parcelë është duke u ndërtuar një kompleks shumëkatësh turistik, pikërisht nga firma e paditur.
Ndërkohë Komuna e Budvës e ka kundërshtuar padinë e institucioneve të Kosovës, duke kërkuar nga gjykata refuzimin e saj.
Komuna ka argumentuar se pretendimi i qeverisë së Kosovës nuk ka asnjë bazë ligjore.
“Të gjitha dekretet, urdhrat dhe rregulloret e tjera të lëshuara nga UNMIK, e cila operonte si Administratë e Përkohshme e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, nuk mund të zbatohen në territorin e Malit të Zi, veçanërisht mosmarrëveshjet në lidhje me blerjen, përfundimin, përmbajtjen dhe ushtrimin e të drejtave reale të pronave të paluajtshme, sepse në atë rast, ligji i zbatueshëm është ai i shtetit në të cilin ndodhet çështja”.
Qeveria e Albin kurtit po kërkon kthimin e 172 pronave, për të cilat pretendon pronësinë. 42 prej tyre ndodhen në Malin e Zi./abcnews.al/

