Kosova pa viza/ Analisti: Vendim i vonuar, BE s’duhet të penalizonte qytetarët por klasën politike

schedule16:30 - 19 Prill, 2023

schedule 16:30 - 19 Prill, 2023

Analisti Shkëlzen Gashi, në një lidhje live nga Prishtina për “Ballkan Update” tha se liberalizimi i vizave për Kosovën është një vendim i vonuar. Sipas tij, BE ka bërë një padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës ndërsa shtoi se një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi klasën politike në Kosovë.

“Ka qenë një padrejtësi e madhe që iu është bërë qytetarëve prej vendeve të BE sepse në 2011 ku janë liberalizuar vizat për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, edhe Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. Nëse jo atëherë, të paktën prej 2018 ku shumë përfaqësues të BE kanë deklaruar hapur se Kosova ka plotësuar kushtet për të liberalizuar vizat. Padrejtësi e dyfishtë është bërë prej vitit 2018 kur Kosovës i janë vënë kushte të tjera që kanë qenë të paparsyeshme si demarkacioni me Malin e Zi.

Natyrisht përfaqësuesit e BE kanë përmendur edhe argumente të tjera se pse nuk liberalizohen vizat si mungesa e luftës kundër korrupsionit por mendoj që në një pjesë të madhe të fajit e mbajnë përfaqësuesit politik të Kosovës sepse nuk e kanë luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Elita politike që ka sunduar gjatë dekadës së kaluar ka qenë e përfshirë në korrupsion. Edhe kjo ka ndikuar që Kosova të mos ketë viza. BE nuk është dashur me i penalizuar qytetarët e Kosovës dhe me pamundësuar lëvizjen e lirë.

Nëse duhej ndëshkuar dikush duhet të ishin politikanët. Unë si qytetar i Kosovës ndihem i poshtëruar me qasjen e BE karshi qytetarëve të Kosovës sa i takon liberalizimit të vizave.”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!