Pa njohje të reja dhe pa anëtarësim në ndonjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare. Kështu e përfundoi Kosova vitin 2024.
Lidhur me këtë analisti Mentor Nazarko tha në emisionin “Ballkan Update” se Kosova kishte shanse për të hyrë në OKB gjatë periudhës së Thaçit, ndërsa tani ka bërë hapa mbrapa.
Ai theksoi se Kosova është një vend i izoluar dhe nuk ka asnjë përparim ndërkombëtar.
“Kosova ka bërë kthim mbrapa. Për të qenë më të drejtë se deri ku ka shkuar mbrapa, mjafton të përmendim se në negociatat e marrëveshjes së nënshkruar mes Thaçit dhe Daçiç në 2015, parashikohej ose ishte në negociata mundësia që Kosova të ishte në OKB dhe Serbia kërkonte diçka në këmbim. Sot ka një marrëveshje si e Brukselit që i njeh palës serbe më shumë të drejta sepse nga 2015 e këtej ka humbur terren në vijimësi. Edhe Sekretari Blinken e nënvizoi kthimin mbrapa si problemin kryesor nëse dështohet në dialog- tha ai në vizitën e tij në Tiranë.
Së dyti, çështja e Këshillit të Europës është themelore. Mjafton të dëgjojmë ambasadorin amerikan në largim, i cili thotë se nëse Kosova do kishte bashkëpunuar me miqtë e vetë, faktorin ndërkombëtar, atëherë do të ishte anëtare e Këshillit të Europës. Kjo është humbje e madhe. Për keqardhje retorika shtetërore e një vendi të izoluar po i ngjan asaj të Enver Hoxhës që kënaqej me anëtarët e Byrosë Politike sesi i kishte thyer brinjët edhe amerikanëve dhe sovjetikëve. Njëjtë dhe Kosova: Kurti po i tregonte ca gazetarëve mirëkuptues ndaj tij sesi Amerika, ambasadori amerikan Hill nuk e kuptojnë sa thellë është Rusia në Serbi- ndërsa Serbia i shet armë Ukrainës. E gjitha kjo për ta plotësuar kuadron krahasuese me Hoxhën, ndërkohë që Kurti godet fuqishëm dhe Rusinë në leximin autoreferencial të punëve të botës.
Së treti, në qoftë se mund ta quajmë përparim, përfshirjen e Kosovës në proces të Berlinit, Kosova në mënyrë donkishoteske ju kundërvu gjatë Ballkanit të Hapur mbështetur dhe nga amerikanët, në emër të procesit të Berlinit, ku dhe atje u përfshi me shumë vonesë, me fusnotë, diçka që e refuzoi disa vite radhazi. Vetëm vizitat në Kroaci e Turqi nuk janë agjendë ndërkombëtare dypalëshe. Po të mos ishte Presidentja Osmani me takimet e saj”, tha ndër të tjera Nazarko.
“Nëse nuk zgjidhet alternativa e zbatimit të njëanshëm të marrëveshjeve si detyrim ndaj BE apo që Trump të rikthehet në Marrëveshjen e Uashingtonit- dialogu ka dështuar. Gjermani ka zgjedhje, drejtuesit e BE sapo u zgjodhën- pra BE nuk ka autoritet“, përfundoi ai./abcnews.al/abcnews.al