UEFA e hodhi poshtë apelin e Federatës së Futbollit të Kosovës për ndeshjen e humbur në tavolinë 0-3 ndaj Rumanisë.
Fjala është për duelin e Ligës së Kombeve në 15 nëntor të vitit të kaluar në Bukuresht, të cilin “dardanët” e braktisën në sekondat e fundit pas thirrjeve raciste të një pjese të tifozëve rumunë.
Federata e Kosovës kërkoi të hiqej humbja 0-3 në tavolinë, por Komisioni I Apelit në UEFA vendosi që gjithçka të mbetej si më parë.
Ky Komision fajësoi lojtarët e Kosovës që hodhën poshtë kërkesën e arbitrit për t’u kthyer në fushë. Vetë futbollistët “dardanë” deklaruan në atë kohë se e braktisën ndeshjen sepse arbitri nuk mori vendim për të ndaluar lojën pas ofendimeve të tifozëve.
Edhe Rumania u dënua për të luajtur një ndeshje në shtëpi pa publik, si dhe mori një gjobë prej 128 000 eurosh. Vlen të theksohet se kjo ishte hera e dytë radhazi që Kosova u ofendua në stadiumin e Bukureshtit./abcnews.al