Osmani, e pakënaqur me BE/ Presidentja e Kosovës: Brukseli po mbron ata që shkojnë në Moskë

schedule10:58 - 16 Maj, 2025

schedule 10:58 - 16 Maj, 2025

Nga Samiti i Komunitetit Politik Evropian, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu pakënaqësinë e saj për qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Beogradit.

Sipas saj, Kosova është e gatshme për bashkëpunim, por qëndrimi i Brukselit ndaj Serbisë është i padrejtë dhe i pabalancuar.

Më 9 maj, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i pranishëm gjithashtu në samit, vizitoi Moskën dhe nga Sheshi i Fitores deklaroi se “vendi dhe populli i tij duhet të jenë krenarë për këtë zgjedhje dhe për shpirtin e tyre të lirë.”

Kjo vizitë e pozicionoi Serbinë, në sytë e opinionit ndërkombëtar, krah Rusisë. Megjithatë, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, në vizitën e tij në Beograd përpara se të mbërrinte në Tiranë, deklaroi se 9 maji ishte një ngjarje historike dhe se Brukseli nuk mund ta ndryshojë këtë fakt.

“Më me rëndësi se sa bisedimet ME Serbinë, janë ato të Kosovës me Bashkimin Europian. Kosova ka aplikuar për anëtarësimin në BE që para 2 viteve, por për fat të keq akoma nuk kemi një gjë konkrete, për shkak të disa komunikimeve të panevojshme politike që krijohen nga disa shtete anëtare. Meqë ky është Samiti i gjashtë i Komunitetit Ekonomik Europian, ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura për anëtarësim të ketë dhe veprime konkrete, për arsye se ky samit po ashtu mbahet në Ballkanin Perëndimor është shumë me rëndësi që të kemi rezultate konkrete për shtete si Kosova e cila është 100% në linjë të plotë me qëndrimet e Bashkimit Europian për politikën e jashtme. Sa i përket dialogu Kosovë-Serbi duhet të flasim pikë së pari për heqjen e masave nga Bashkimi Europian sepse kjo dëmton vetë kredibilitetin e Bashkimit Europian”, tha Vjosa Osmani.

E pyetur nëse Kosova, në këtë ngërç politik, është e gatshme të ecë përpara me dialogun, Osmani tha se, pavarësisht faktit që nuk ka një qeveri të re në Serbi, kryenegociatori është ende në detyrë dhe ka legjitimitetin për të vepruar.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka shënuar përparim që nga takimi në Ohër, ndërkohë që Kosova vazhdon të jetë nën sanksionet e Bashkimit Evropian për shkak të veprimeve të pakoordinuara të kryeministrit Kurti me partnerët ndërkombëtarë në Veri të vendit.

Në përputhje me deklaratat e Osmanit, edhe kryeministri kroat, Andrej Plenković, nga Tirana u shpreh se procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një çështje që bazohet tërësisht në meritë. Ai përmendi Shqipërinë si shembull pozitiv.

“Kam shumë përvojë për të kuptuar se nuk është e lehtë të përcaktosh data të sakta. E vërteta është se askush nuk mund t’i caktojë ato, pasi plani i zgjerimit nuk është një proces i paracaktuar. Gjithçka varet nga progresi. Nga ajo që shoh, Shqipëria ka hapur grup-kapitujt, po negocion dhe është ndër vendet më të avancuara. Çdo shtet duhet të ecë drejt BE-së bazuar në punën dhe meritat e veta.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!