Deklarata e Presidentit amerikan Donald Trump për raportet mes Kosovës dhe Serbisë ka trazuar ujërat në Prishtinë.
Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.
Deputet PDK, Artan Berhami në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News tha se Kosova ndodhet në një ngërç dhe pa asnjë rrugëdalje.
Gjithashtu ai tha se sjellja e qeverisë Kurti sipas tij është e njëjtë me atë të Serbisë.
“Dikur deklaratat e presidentëve amerikanë kanë ngjallur shpresë, derisa kjo e fundit, ka qenë ndryshe. Në një botë ku konfliktet janë të mëdha, deklarata e Trump duhet të merret shumë seriozisht. Por logjika e VV dhe është krejt tjetër dhe kanë burim frikën”, tha ai.
Më tej shtoi se kjo sjellje e Kosovës, nuk është doktrinë e shqiptarëve.
“Kjo logjikë refuzuese dhe mosbesimi ndaj SHBA-së duhet të ndryshojë sepse pozita në të cilën ndodhet bota, nuk kanë kohë të presin. Ne duhet të zgjohemi nga këto iluzione dhe deklaratat e presidentit Trump t’i marrim si pozitive dhe të largojmë frikën. Ne jemi në një fazë shumë kritike dhe lojërat politikë duhet t’i lëmë mënjanë”, tha ai.
/abcnews.al/