Kosova ka ulur flamurin në gjysmë shtize. Vendi i dha lamtumirën e fundit bilbilit të muzikës, Nexhmije Pagarusha.
Trupi i pajetë i këngëtares së shquar qëndroi sërish në hollin e teatrit kombëtar në Prishtinë. Qindra qytetarë e artistë bënë homazhe dhe nderuan legjendën e muzikës shqiptare, që u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare.
Pas homazheve, kortezhi i këngëtares së mirënjohur, Nexhmije Pagarushës, është nisur nga Teatri Kombëtar i Kosovës, duke kaluar nëpër sheshet kryesore të Prishtinës.
Kortezhi përfundoi tek sheshi “Zahir Pajaziti”. Pranë arkemortit me trupin e Nexhmije Pagarushës kanë qëndruar edhe artistë nga ansambli “Shota”i Kosovës. Mes mijëra qytetarëve që kishin dalë për t’i dhënë lamtumirën ishin edhe Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.
“Për të tjerët duhet të zotohemi se nuk do ti harrojmë, bilbilin tonë as nuk duam, as nuk do ta harrojmë. Do të na këndojë në mendje, për aq sa zemrat do të na rrahin”, tha kryeministri Kurti.
“Nexhmija nuk krijoi vetëm perla të muzikës por krijoi shoqërinë e vlerave, siç bëri dhe Vaçe Zela e shumë artiste të tjera shqiptare. Nexhmije Pagarusha tashmë është shndërruar në vlerë historike, të popullit tonë”, tha kryeparlamentarja Osmani.
Sipas amanetit të këngëtares, trupi i saj u përcoll në Pagarushë të Malishevës, për tu prehur përjetësisht në fshatin e lindjes.
Nexhmije Pagarusha do të mbetet një ikonë në historinë e muzikës dhe artit shqiptar.
Në karrierën e saj rreth 40 vjeçare në skenë, radio dhe televizion, ajo interpretoi mbi 150 këngë. “Baresha” dhe “E dehun jam” mbeten dy hite të këngëtares së shquar mbarë shqiptare.
Nexhmije Pagarusha është vlerësuar me tituj dhe medalje nderi nga shteti në Shqipëri dhe Kosovë./abcnews.al