Kosova merr vendimin për targat, si do të bëhet lëvizja e automjeteve nga Serbia duke filluar nga 1 gushti

schedule18:45 - 29 Qershor, 2022

schedule 18:45 - 29 Qershor, 2022

Në mbledhjen e 85 të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim për çështjen e makinave me targa të Serbisë që dëshirojnë të hyjnë në territorin e Kosovës. Sipas njoftimit të Zyrës për media të kryeministrisë, veturat me regjistrim të Serbisë që paraqiten për kalim në kufirin shtetëror të Kosovës dhe kanë për qëllim lëvizjen brenda territorit të Kosovës duhet të kenë të vendosur ngjitësin tek pjesa e simboleve.

Ky vendim hyn në fuqi nga 1 gusht 2022 dhe vlen deri më 31 tetor 2022.

Gjithashtu Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’ua mundësojë regjistrim me tabela të Republikës së Kosovës të gjithë atyre pronarëve të cilët makinat e tyre i kanë me tabelat e vjetra “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”,.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka ardhur si rezultat i dështimit të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë në Bruksel për çështjen e targave.

Dhe një vendim tjetër që është marrë në këtë mbledhje, është që çdo person që paraqitet në kufirin shtetëror të Kosovës me dokument personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me një dokument (fletë-deklarim) që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e një dokumenti të tillë.

 Njoftimi i plotë:

Mbledhja e 85-të e Qeverisë Prishtinë, 29 qershor 2022 Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilë​n ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022. Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës./Express/