Le ta kuptojmë nivelin që kemi. Shqipëria mund të jetë një shtet shumë më i vjetër, dhe Kosova tepër i ri, por kur vjen puna tek disa nga sportet është shumë më lart nesh.
Këtë e tregoi në “duelin vëllazëror” të basketbollit zhvilluar në Pallatin e Sportit të Shkodrës për eliminatoret e Kampionatit Europian.
Fitorja e “dardanëve” të drejtuar nga trajneri Bujar Loci ishte e thellë dhe e merituar.
Përfundoi 99-84, ndonëse u duk se skuadra tjetër shqiptare nuk dha maksimumin në gjysmën e dytë të ndeshjes pasi u shkëput në 22 pikë deri në pushim.
Më i miri në fushë ishte Dardan Berisha i Kosovës me plot 35 pikë, një basketbollist vërtet modern.
Hajrizi shtoi 15 pikë dhe Kastrati hyri nga stoli për 21 pikë.
Te kombëtarja shqiptare, drejtuar nga trajneri Erkand Karaj, më I miri ishte Hamati me 19 pikë, pastaj Tola me 13 si dhe Dusha e Hysa me nga 12 pikë.
Në grupin C, Shqipëria është në vendin e fundit pas humbjes edhe në Sllovaki, me 10 pikë diferencë, 73-63, ndërsa ndeshja e radhës është në 2 mars në fushën tonë pikërisht ndaj sllovakëve.

