“Kosova humb 400 milionë euro investime”/ Ambasadori Rohde: Shkak, moszbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

schedule14:21 - 21 Nëntor, 2023

schedule 14:21 - 21 Nëntor, 2023

Ekonomia dhe qytetarët e Kosovës kanë humbur 400 milionë euro investime për shkak të mos miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.Shqetësimi është ngritur nga diplomati gjerman në Kosovë Jorn Rohde.

“Dëshiroj të theksoj mungesën e vazhdueshme të bashkëpunimit ndërpartiak, veçanërisht për mua është shqetësuese mos miratimi i deritanishëm i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës. Jo vetëm nga projektet gjermane, por populli i Kosovës është i privuar nga afërsisht 400 milionë euro investime. Të gjitha palët duhet të angazhohemi në lidhje me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve sepse po e pengon rëndë zhvillimin e Kosovës. Sfidat vazhdojnë edhe në fusha kyçe si reforma e administratës publike, sistemi gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”

Ambasadori gjerman në Prishtinë, thotë se nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë.

“Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, megjithatë nevojiten shumë më tepër përpjekje për të zbatuar marrëveshjet dhe për të vazhduar dialogun konstruktiv me Serbinë”.

Diplomati gjerman thekson se është e rëndësishme të arrihet një përparim në procesin e normalizimit. Sipas tij, Gjermania në vazhdimësi ka ofruar ndihmë thelbësore për institucionet e Kosovës në zbatimin e reformave për procesin e integrimit në BE, jo vetëm dypalëshe me rreth 800 milionë euro, por edhe me kontribute të konsiderueshme në programet IPA të BE-së.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!