Prekazi ka qenë sot një nga epiqendrat e festimeve dhe nderimeve me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.Zyrtarë të Kosovës kanë kryer homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
28 Nëntori, veç Pavarësisë, shënon edhe ditëlindjen e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministra e deputetë kanë nderuar sakrificën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës.
“… për t’u betuar edhe një herë para varreve të tyre që do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis çdo cep të Republikës sonë, do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe njëkohësisht do të bëjmë çmos që shqiptarët gjithë andej kudo që jetojnë ata, t’i kenë të drejtat e tyre të garantuara”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Në homazhe ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
“28 Nëntori është data më përbashkuese e kombit tonë, është ditë e krenarisë kombëtare dhe sinonimi i saj është sakrifica e madhe e Familjes Jashari. Populli ynë dhe përfaqësuesit e tij i përkulen sakrificës dhe historisë së Familjes Jashari”, tha Konjufca.
Veç zyrtarëve, qytetarë të shumtë nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut, por edhe vendet të tjera kanë vizituar gjithashtu varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Gjithashtu për herë të parë festa e flamurit u organizua edhe në Luginën e Preshevës në Serbi nga Ambasada Shqiptare./abcnews.al