“Kosova është në agoni”, Krasniqi reagon pas takimit me Kurtin: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë një dëshirë politike, por një domosdoshmëri

schedule23:03 - 13 Maj, 2024

schedule 23:03 - 13 Maj, 2024

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka thënë se Kosova ndodhet në agoni, pasi çmimet janë rritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta dhe familjet po përballen me vështirësi të ndryshme.

Sipas Krasniqit, zgjedhjet e parakohshme nuk janë një dëshirë politike, por një domosdoshmëri nacionale.

Reagimi i plotë:

Sonte i jam përgjigjur kërkesës së kryeministrit Kurti për takim. Si PDK, duke respektuar gjithmonë trashëgiminë tonë politike, për interesin e shtetit dhe zhvillimin e tij, do të jemi gjithmonë të gatshëm të takohemi dhe të bisedojmë kurdo dhe me këdo.

Kosova është në agoni! Neve na shqetëson shumë fakti që ka shumë bashkëqytetarë që e kanë të vështirë ta lidhin muajin me muaj. Çmimet janë rritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta dhe familjet kosovare po përballen me vështirësi të ndryshme. Në anën tjetër, qeveria nuk po bën sa duhet për ta.

Mbi këtë premisë, konsideroj se duhet të mblidhemi sa më parë të gjithë liderët e partive politike parlamentare dhe, me konsensus të përbashkët e pa protagonizëm individual, të vendosim për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe për shpërndarjen e kësaj legjislature të paralizuar.

Uroj që edhe partitë e tjera të mbështesin një nismë për shpërndarjen e Kuvendit. Stagnimi i theksuar i shtetit, posaçërisht në ekonomi, por edhe në rrafshin ndërkombëtar, nuk mund të presë më shumë.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike – por një domosdoshmëri nacionale. PDK është gati! I gjithë vendi është gati!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!