Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në studion e Tirana Live në Abc News, komentoi situatën në të cilën ndodhet Kosova pas 15 vitesh pavarësi. Ai tha se Kosova është konceptuar si një shtet multietnik nga bashkësia ndërkombëtare dhe se udhëheqësit s’e kanë kuptuar ende këtë qasje të tyre.
Sipas tij, për këtë arsye, udhëheqësit e Kosovës po krijojnë pengesa në procesin e dialogut që për pasojë po “minon” edhe rrugën drejt arenës ndërkombëtare. Mes të tjerash ai tha se “Konflikti kryesor i sfidave që ka Kosova janë moskuptimi i konceptimit kushtetues të Kosovës si shtet multietnik.”
“Është një shtet i ri që ka arritur të konsolidohet së brendshmi, të themelojë institucionet që e bëjnë atë shtet funksional. Krahasuar me Shqipërinë funksionojnë në mënyrë më të përkryer për shkak se janë konceptuar nga ata që ishin unët e themelit të shtetësisë së Kosovës.
Janë vendosur themele të së drejtës dhe fillesa e tyre ka qenë më evropiane se ato të Shqipërisë. Në planin e jashtëm kemi probleme për integrimin ndërkombëtar të Kosovës. Në një moment si ky është rasti që të analizohet debati mbi atë që ka qenë konceptuar nga ata që i dhanë shtysë themelimit të Kosovës.
Kanë qenë miqtë tanë perëndimore por në planin e brendshëm kanë qenë ato figura si Ibrasim Rugova si babai dhe themeluesi i shtetit kosovar apo ato figura që kanë derdhur gjak. Miqtë perëndimor e kanë konsideruar si një Kosovë multietnike. Pikërisht në këtë moment qëndrojnë edhe konfliktet që shoqërojnë ecjen në arenën ndërkombëtare.
Udhëheqësit aktuale ndoshta nuk janë të vetëdijshëm për këtë konceptim dhe janë duke krijuar pengesa në procesin e dialogut që duhet ta përmbyllte shtetësinë edhe në planin ndërkombëtar.”, tha ai./abcnews.al