Kosova ende në dilemë mes zgjedhjeve të parakohshme dhe qeverisë teknike

schedule13:50 - 27 Korrik, 2019

schedule 13:50 - 27 Korrik, 2019

Në Kosovë, paqartësitë e krijuara pas dorëheqjes së papritur të kryeministrit Ramush Haradinaj, kanë hapur dilemën nëse vendi do të shkojë ose jo në zgjedhje të parakohshme. Këto mëdyshje duket se janë të pranishme edhe në qarqet diplomatike ndërkombëtare me ndikim në rajon. Përderisa Bashkimi Evropian rrugëzgjidhjen e shikon në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, administrata amerikan e presidentit Donald Trump mendon se një qeveri teknike e spektrit të gjerë do të përshpejtonte zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në Prishtinë, gati-gati të gjitha partitë politike kanë lënë të kuptohet se janë të gatshme për të matur forcat në zgjedhjet e reja, të parakohshme, atmosferë kjo e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Dhe, përderisa vazhdojnë përçapjet për krijim të koalicioneve parazgjedhore që besohet se do të mund të nxjerrnin bllokun fitues, duket se faktori ndërkombëtar nuk flet me një gjuhë për shtegdaljen nga situata e krijuar. Gjithë kjo në momentin kur prej kohësh dialogu mes Prishtinës e Beogradit – mbetet i ngrirë: Të premten në Beograd, komisioneri në largim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha se zhbllokimin e dialogut  e shikon pas zgjedhjeve në Kosovë. Mirëpo, burime të besueshme diplomatike, të afërta me administratën amerikane, thanë të shtunën për TV Klan se Departamenti amerikan i Shtetit rrugëdaljen nga situata e krijuar e shikon  jo në zgjedhje të jashtëzakonshme, por në krijimin e një qeverie teknike të spektrit të gjerë e cila do të merrte përgjegjësinë për të vazhduar dialogun me Serbinë në mënyrë që ai të rezultojë me një zgjidhje të qëndrueshme që do të shënonte edhe normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forciminn e paqes e të qëndrueshmërisë në rajon.

S’do mend se për këtë duhet vullnet e përkushtim i të dyja palëve, për shkak se, sikurse deklaroi ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scot, të dyja qeveritë , si ajo serbe, ashtu edhe ajo e Kosovës, janë të frustruara, ndaj edhe dialogu është gjetur në atë që diplomati amerikan e ka cilësuar si ‘spirale negative’.   /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!