Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë në “NewsLine” komentoi situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Nazarko u shpreh se Serbia ka filluar të bëjë disa hapa përpara, ndërsa u shpreh se Kosova duhet ta jetësojë asociacionin.
“Në datën 7 ndërmjetësi i BE, Lajçak apo Borell kishin planifikuar një takim në Bruksel. Kosova nuk ka pranuar të ketë takim dypalësh dhe për këtë arsye Lajçak ka vendosur të vijë në Prishtinë dhe Beograd, me idenë që zotimet që janë marrë nga Kurti dhe Vuçiç në takimin me Borell, Macron, Scholz të fillojnë dhe të jetësohen. Për Kosovën hapi i parë është themelimi i asociacionit, mbi bazën e një propozimi të pesëshes europiane, i cili shkrin në një dokument unik kontribute që vijnë qoftë nga vetë BE. Pra një variant të asociacionit që mban parasysh vijat e kuqe të dy palëve. Është një hap cilësor në teknologjinë e negociatave që deri më parë ka qenë na propozoni ju të Kosovës një tekst dhe ju të Serbisë një tekst, dhe BE gjente një të mesme, ndërsa tani tha jo. Propozoi një tekst dhe pret zbatim.
Serbia i ka bërë thirrje pakicës serbe në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhje. Po ashtu Serbia e ka larguar shefin e shërbimit sekret Vulin nga detyra, mund të kishte thënë se do ta heqin pas zgjedhjeve. Por Serbia ka qenë në presion të fortë. Vuçiç ka thënë se unë jam i gatshëm të nënshkruaj çdo gjë, vetëm njohje reciproke mos ma kërkoni, pra po përpiqet ta rikonfigurojë sjelljen e saj ndërkombëtare si një sjellje konstruktive”, tha ai./abcnews.al/