Qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i drejtohet kredisë për të siguruar vaksina anticovid.
Kjo është konfirmuar pas mbledhjes që qeveria e Albin Kurtit mbajti ditën e sotme, lidhur me negocimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagim Emergjent ndaj Covid-19”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nevojiten 25 milionë euro shtesë, pasi projekti ka një kosto totale prej 60 milionë.
“Tërë projekti kap vlerën prej 60 milionë euro, kemi 35 milion euro tashmë të negociuara, të nënshkruara dhe ratifikuara në Kuvend dhe po bëhet fjalë për një shtesë 25 milionë eurove që sigurohen me këtë amendamentim”, tha Murati.
Ai shtoi se kjo do të ndihmojë në blerjen e vaksinave anti-COVID-19, sipas marrëveshjeve që negociohen nga Ministria e Shëndetësisë. E.L/abcnews.al/.