Korrupsioni, vlerësohet puna e SPAK/ DASH: Me rëndësi eliminimi i pandshkueshmerisë

schedule19:31 - 21 Qershor, 2024

schedule 19:31 - 21 Qershor, 2024

Pas vizitës së tij në Shqipëri, koordinatori amerikan kundër korrupsionit global në DASH, Richard Nephew, flet për luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri, për të cilën vizitoi vendin tonë. Nephew vlerëson punën e deritanishme të bërë nga prokuroria e posaçme SPAK.

“Mendoj se SPAK po bën punë të shkëlqyer. Dhe sigurisht që i shohim të gjitha përpjekjet e mira që po bëhen dhe po bëjmë edhe ne përpjekjet më të mira për ta mbështetur SPAK dhe gjithçka që ai bën, por nuk mund të jetë gjithçka në shtysën kundër korrupsionit në Shqipëri”, tha ai.

Nephew, i cili zhvilloi takime të nivelit të lartë me autoritetet në Shqipëri, thotë se institucionet tona i kanë kapacitetet për të bërë pjesën e tyre kundër korrupsionit.

“Mendoj se të gjitha institucionet që kanë lidhje me pjesët e shtetit që mund të merren me kontrata apo prokurime dhe të tjera, duhet të kenë mekanizma për të lejuar raportimin e ankesave, t’i identifikojnë ato ankesa dhe t’ua sjellin ato hetuesve. Mendoj edhe që në Shqipëri sisteme të tilla ekzistojnë sigurisht. Ndaj do të thoja që në vend që të themi se ka nevojë për institucione të reja apo zëvendësuese, duhet të shohim që të sigurohemi që institucionet që ekzistojnë në sistemet ekzistuese funksionojnë sa më efektshëm që mundet dhe aty ku nuk funksionojnë, të gjenden mënyra për t’i përmirësuar ato”, u shpreh ai.

Nephew thotë për Zërin e Amerikës se komisioni i posaçëm antikorrupsion i miratuar si nismë e mazhorancës së fundmi në parlament duhet të ofrojë produkte të cilat nuk cenojnë pavarësinë e sistemit aktual të drejtësisë.

“Mendoj edhe që duam të sigurojmë që çfarëdo reformash shtesë që bëhen, të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët të vazhdojnë të çojnë çështjet përpara, që të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe të bazohen në fakte”, tha ai.

E gjithashtu, sipas zyrtarit amerikan, përbërja dhe produkti i komisionit të posaçëm antikorrupsion duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

“Mendoj se teksa shohim drejt reformave dhe teksa shohim drejt asaj lloj pune që po bëhet për të përmirësuar sistemet këtu, shumë do të vendoset nga sa gjithëpërfshirëse janë, sa sjellin të gjithë aktorët e ndryshëm dhe se nuk do të humbim përparimin e mirë që është bërë tashmë, për ta bërë sektorin e drejtësisë sa më të pavarur dhe sa më të efektshëm që të mundet”, tha mw tej zyrtari i DASH.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!