Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim është shprehur se shqiptarëve u ka ardhur “në majë të hundës” me korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe me kriminelët që ulen në parlament.
Yuri Kim ka kërkuar nga votuesit shqiptarë që ta tregojnë me veprime se nuk duan më këtë realitet, ndaj sipas saj data 25 prill është momenti që ata të votojnë për ndryshimin e këtij realiteti me korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe kriminelët në Parlament.
Më tej në një intervistë të dhënë për gazetarin Lutfi Dervishi, Ambasadorja Yuri Kim është shprehur se votuesit shqiptarë janë shpresa e parë dhe më e mirë.
Ambasadorja Yuri Kim: Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet. Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti.
Për ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, “blerja e votës është krim”. Kim tha se përpjekja për të blerë vota është krim ndaj ata politikanë që tentojnë të blejnë vota ajo i cilëson kriminelë.
“Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel. Nëse përpiqeni të bleni një vote, jeni një kriminel. Për votuesit, duhet të vendosin. Do ta shes pushtetin që kam? Do ta shes dinjitetin? Do ta shes të ardhmen e fëmijëve? Mendoj se përgjigja duhet të jetë: Jo. ” – theksoi Kim.
Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, diplomatja amerikane ndau këtë mesazh për votuesit shqiptarë.
“Nëse dikush s’ka bërë asgjë për ty, përveç gjërave të tmerrshme, duke vjedhur nga publiku për 4 vjet apo sado gjatë dhe pastaj para zgjedhjeve vjen dhe paguan faturat e tua ose të jep një iPhone të përdorur, e dini, ju vleni më shumë se kaq. Shqipëria vlen më shumë se aq. Fëmijët e Shqipërisë vlejnë më shumë se aq prandaj ky një çast i vërtetë. Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht.” – tha Kim në “Përballë.”/abcnews.al/

