Një oficer i policisë gjyqësore në prokurorinë e Tiranës është shpallur në kërkim me urdhër të spak pasi akuzohet se ka marrë 50 mijë lekë ryshfet për të ndërhyrë tek prokurori dhe gjyqtari për të shmangur dënimin me burg të shtetasit Ermir Llagaçi.
Me kërkesë të prokurorisë, gjykata e posaçme ka caktuar masën e arrestit në burg për Fatbardh Lalën, por rezulton se oficeri ka dalë jashtë vendit. Ai akuzohet edhe për nxjerrje të sekretit hetimor, pasi rezulton se ka zbuluar sekrete nga një dosje për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj një personi në këmbim të shumave monetare. Ndërsa hetime në gjëndje të lirë po zhvillohen për shtetasin Ermir Llagaçi dhe nënën e tij Tefta Llagaçi për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjithshtu në njoftimin zyrtar të prokurorisë së posaçme, thuhet se Ermir Llagaçi I ka paguar një avokati shumën prej 300.000 lekësh, duke qenë në dijeni se një pjesë e kësaj shume parash konkretisht 150.000 lekë do të jepej nga ana e avokatit me qëllim që ai të ushtronte ndikim te gjyqtarët e Apelit, të cilët ishin tre, dhe secilit do ti jepej shuma prej 50.000 lekësh. Por spak nuk sqaron se çfarë ka ndodhur më tej me avokatin që është mjaftuar vetëm me publikimin e inicialeve pa dhënë detaje të tjera.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.180 datë 19.10.2022, për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1, dhe 25 paragrafi 2 i Kodit Penal në ngarkim të personave nën hetim T. Ll. dhe Ermir Llagaçi, dhe 245/1, paragrafi 4 të Kodit Penal, për personin nën hetim Fatbardh Lala.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.73 datë 28.06.2023 ka vendosur:
- Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale ndaj shtetasit Fatbardh Lala, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 4 dhe 295/a të Kodit Penal.
- Caktimin e masës së sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për të dyshuarit Ermir Llagaçi dhe një person tjetër, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim parashikuar nga Neni 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal.
Masat e sigurimit personal ndaj personave nën hetim Ermir Llagaçi dhe T. Ll., janë ekzekutuar më datë 29.06.2023, ndërkohë personi nën hetim Fatbardh Lala, me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton të jetë larguar jashtë vendit, dhe për rrjedhojë ekzekutimi i masës së sigurimit arrest në burg nuk është ekzekutuar.
Nga tërësia e hetimeve të kryera deri në këtë fazë, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte se shtetasi në hetim Fatbardh Lala, me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë përsipër të ushtrojë ndikim dhe ka pranuar shumën monetare të dhënë nga shtetësja T. Ll. (që rezulton të jetë më shumë se 50.000 lekë), tek Prokurori i çështjes me të pandehur shtetasin Ermir Llagaçi dhe tek Gjyqtari i çështjes duke konsumuar në këtë mënyrë figurën e veprës penale të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal. Ndërkohë shtetasit Ermir Llagaci dhe T. Ll. duke dhënë shuma monetare (rezulton se ka dhënë më shumë se 50.000 lekë) oficerit të policisë gjyqësore Fatbardh Lala, pasi ky i fundit i ka siguruar se mund të ushtrojë ndikim te funksionarët publikë, sic janë në rastin konkret prokurori/gjyqtari që kanë patur në hetim/gjykim çështjen penale në ngarkim të shtetasit E. Ll., pamvarësisht se shtetasi Ermir Llagaçi, u dënua me burgim, pra pasoja e dëshiruar nuk ka ardhur, vepra penale e parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 të Kodit Penal nga ana e tyre konsiderohet e konsumuar. Njëkohësisht E. Ll. i ka paguar avokatit S. A. shumën prej 300.000 lekësh, duke qenë në dijeni se një pjesë e kësaj shume parash konkretisht 150.000 lekë do të jepej nga ana e avokatit me qëllim që ai të ushtronte ndikim te gjyqtarët e Apelit, të cilët ishin tre, dhe secilit do ti jepej shuma prej 50.000 lekësh.
Në vijim të hetimeve, u grumbulluan prova që krijuan dyshimin e arsyeshëm se, oficeri i policisë gjyqësore Fatbardh Lala ka konsumuar edhe veprën penale të dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a paragrafi i tretë i Kodit Penal. Kjo pasi ai ka zbuluar të dhëna që përmbajnë aktet sekrete të një ose më shumë procedimi penal, dhe këtë informacion ai e ka disponuar duke aksesuar në zyrat e tij të punës si oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këto të dhëna Oficeri i Policisë Gjyqësore ia ka transmetuar nënës së shtetasit Ermir Llagaçi nëpërmjet telefonit madje duke rekomanduar se prokurorët duhen takuar. Këto veprime janë kryer duke cënuar rregullin e punës së tij, duke cënuar sekretin hetimor në lidhje me çështjet në fjalë, përsa kohë që prokurorët e çështjes nuk kishin ndërmarrë veprime të hapura me shtetasin Ermir Llagaçi, duke cënuar në këtë mënyrë funksionimin e rregullt të organeve të drejtësisë, dhe parimin e sekretit hetimor./abcnews.al