Asnjë i prekur nga koronavirusi në Kosovë. Ka rezultuar negativ testi i analizave laboratorike rreth tre personave të dyshuar që mbërriten në Prishtinë nga Italia.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme, më 25 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për tre raste të dyshimta në Koronavirus COVID-19. Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B.
Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B”, thuhet në njoftim.
Në Klinikën Infektive në QKUK, sot janë paraqitur 3 raste të dyshuara për koronavirus. Siç njofon QKUK’ja, të tre pacientët që dyshohej se janë të prekur nga virusi, kanë ardhur nga Italia ku tashmë janë konfirmuar dhjetëra raste të të prekurve prej koronavirusit. /abcnews.al