Një mbledhje mes përfaqësuesve politikë të tryezës së reformës zgjedhore është duke u zhvilluar e cila është mbledhur më shumë se 30 minuta më parë në Rogner.
Përkundër masave që janë marrë nga qeveria për të mos u lejuar mbledhje dhe grumbullime njerëzish, tryeza politike përbëhet nga një numër jo i konsiderueshëm njerëzish duke qënë edhe përpara faktit se ndodhen në limite të afatave të përcakruara nga aktorët politikë për reformën zgjedhore, ndërkohë që janë zbardhur 9 pikat kryesore të opozitës për administratën zgjedhore, të cilat do të propozohen në tryezën për reformën zgjedhore.
Zbardhen 9 pikat kryesore të opozitës për administratën zgjedhore, të cilat do të propozohen në tryezën për reformën zgjedhore.
- Opozita propozon depolitizim të administrimit të votimit dhe numërimit, duke ruajtur balancimin politik.
- Një anëtar jopolitik, i emëruar nga KQZ, të jetë përgjegjës i vetëm për administrimin e votimit. Kur është e nevojshme te merren vendime, ato merren nga komisionerët politikë, që do të emërohen në raportin 3:3, qeveri:opozitë.
- Rastet e vendimmarrjes në komisionet e votimit janë të pakta. Pjesa më e madhe e ditës së votimit nuk është vendimmarrje, ndaj roli i anëtarit jopolitik është vendimtar në depolitizimin e votimit.
- Opozita propozon që numërimi të kryhet nga zyrtarë jopolitikë, të trajnuar dhe emëruar nga KQZ. Numëruesi jopolitik ka të gjithë përgjegjësinë e numërimit.
- Partitë politike nuk do të kenë më numërues, por do të mbikqyrin nga afër numërimin dhe do të kontestojne çdo shkelje.
- Komisionet e nivelit të mesëm, KZAZ, ndjekin të njëjtin model. Komisioneri jopolitik, i emëruar nga KQZ, do të menaxhojë procedurat ligjore, si dhe përgjigjet për zbatimin e ligjit. Partitë do të kenë anëtarë në mënyrë të balancuar.
- Për të parandaluar dhe eleminuar parregullsitë në votim, propozohet futja e rinumërimit të detyrueshëm të 10% të kutive nga KQZ.
- Nëse nga rinumërimi dalin probleme, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të kërkojnë hapjen e kutive të tjera në KZAZ ku dalin probleme.
- Nëse rinumërimi ndryshon rezultatin, numeruesit dhe komisionerët përgjegjës ndëshkohen dhe dërgohen për ndjekje penale.
Opozita e Bashkuar propozon një model miks të administrimit zgjedhor që garanton zbatim rigoroz të ligjit nga komisioneri jopartiak i cili mban përgjegjësinë disiplinore dhe penale në mënyrë të individualizuar, ruan aksesin e balancuar të partive politike dhe besimin e tyre në vendimmarrje, por garanton ndërhyrjen ligjore për të zhbërë parregullsitë dhe manipulimet në votim dhe numërim.
Sipas tyre këto masa ndërveprojnë në kompleks me masat e propozuara me parë nga Opozita e Bashkuar për të garantuar lirinë dhe sekretin e votës së zgjedhësve.
Këto parashikime mund të funksionojnë vetëm në kushtet e çaktivizimit të vullnetit të qeverisë për të manipuluar zgjedhjet dhe për këtë arsye propozimi i parashtruar në vijmësi nga opozita e bashkuar për një qeveri kujdestare 100 ditë para zgjedhjeve është parakusht për zbatimin e secilit prej propozimeve te parashtruara./abcnews.al