Qershori regjistron bilancin më të rëndë sa i përket situatë së koronavirusit që nga zbulimi i të infektuarit të parë në Shqipëri.
Muaji i fundit ka tejkaluar me 261 persona të prekurit nga Covid-19 konfirmuar nga autoritetet shëndetësore në mars, prill dhe maj bashkë.
Mjekët epidemiologë Ilir Alihmehmeti dhe Erion Dasho e lidhin rritjen e rasteve të reja me disa faktorë.
“Hapja e masave, rritje e numrit te testimeve, disa vatra, ju i keni parasysh”, shprehet Alimehmeti.
“Rritja jonë nuk u lidh me transmetimin komunintar, u lidh me transmetimin ne spital, ne biznese”, sqaroi Dasho.
Të prekurit nga Sars Co V 2 ditët e fundit kanë ardhur në rritje dhe në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Zvicra, por ndryshe nga ne atje nuk janë shoqëruar me humbje jetësh.
Në Shqipëri vetëm gjatë qershorit kanë gjetur vdekjen për shkak të komplikacioneve nga koronaviursit 29 persona . Gati sa viktimat e shënuara nga java e dytë e marsit deri ne fund të majit, kohë kur sipas autoriteteve shëndetësore kanë ndodhur 33 vdekje nga Covid 19.
“Kurba jonë e rasteve të reja shoqërohet edhe me rritjen e vdekjeve. Kjo vjen ose sepse personat janë rëndë që në fillim, ose ndoshta testohen me vonesë”, shprehet Alimehmeti.
Frenimi i të infektuarve të rinj sipas mjekëve epidemiologë mund të ndodhë nëse ndërhyet në disa aspekte.
“Burimet që ne kemi të fokusohen urgjentisht, të bëjnë spitalet vende të sigurta, administratën, bizneset dhe pasi të kemi garantuar këtë duhet të merremi me familjen”, tha Dasho.
“Pika më e rrezikshme në mënyrë absolute është spitali. Nuk po bëhet deri aty ku mjafton, pra patjetër testimi”, u shpreh Alihmehmeti.
Nëse Shqipëria doli nga izolimi me 232 persona aktiv me koronavirus aktualisht numri i tyre sipas Ministrisë së Shëndetësisë ka arritur në 1014. /abcnews.al