Koronavirusi, mjeku debat me zv/ministren: Jemi të rrezikuar, s’ka maska profesionale në spital

schedule21:59 - 26 Shkurt, 2020

schedule 21:59 - 26 Shkurt, 2020

Mjeku infeksionist Gent Stroni ka ngritur shqetësimin e infektimit të stafit të spitalit të Infektivit nga koronavirusi. Sipas tij mjekët janë të parët që përballen me rrezikun ndaj duhet të jenë të mbrojtur mirë. Ai tha se aktualisht po përdoren në spital maskat e thjeshta kirurgjikale dhe jo maskat profesionale. I ftuar në studion e “Byro Politike” ai debatoi me zv/ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

“Maskat kirurgjikale janë të pasigurta, mjekët janë të rrezikuar nga koronavirusi sepse personi i parë që do ndeshet me një koronavirus do të jetë një mjek. Personeli shëndetësor është i riskuar”, tha Gent Stroni kryetar i sindikatës së punonjësve të shëndetësisë.

Sakaq, Mira Rakacolli u shpreh se “ne nuk jemi të papërgatitur sepse janë marrë masat nga task-force, janë dhënë 1 milionë USD për mjetet në spitale. Duhet të qendrosh 15 minuta në kontakt që ta marrësh virusin. Në rast se ka dyshime, mjeku e heq maskën e thjeshtë dhe vendos maskën profesionale”.

Por mjeku Gent Stroni insistoi duke u shprehur se “unë vij nga fronti i punës dhe brenda 24 orësh që kam qenë mjek roje kanë ardhur për vizitë 120 pacientë. Ne aktualisht po punojmë me maska kirurgjikale që nuk të mbrojnë nga koronavirusi”, tha ai. Po kështu edhe Pëllumb Pipero, mjek infeksionist mbështeti kolegun e tij duke shtuar se “maskat profesionale mund të jenë në stok, por ato duhet të vijnë në shërbimin infektiv në mënyrë që mjekët të mos jenë të riskuar”.

“Ky virus është misterioz ndaj duhen masat parandaluese për të pakësuar numrin e rasteve.  Është shumë e rëndësishme që në varësi të numrit të popullsisë, të gjithë indikatorët të funksionojnë sepse shumë shpejt mund ta kemi rastin e parë. Askush nga ne nuk mund të thotë nëse kemi apo nuk kemi, do vijë apo nuk do vij”, tha më tej Pipero. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!