Koreja e Veriut ka treguar forcën ushtarake që posedon në një paradë përpara hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Jug. Në këtë event nuk kanë marrë pjesë mediat ndërkombëtare.
Koreja e Veriut ka mabjtur një paradë ushtarake, përpara hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Jug. Lajmi është bërë i ditur nga mediat e Seulit. Regjimi komunist shumë shpesh ka paralajmëruar me superlative paradat ushtarake, por kjo e fundit ka dalë në sipërfaqe vetëm pasi është zhvilluar.
Ky event është mbajtur zakonisht në muajin prill dhe lëvizja e saj është parë si pengesë për përmirësimin e mardhënieve gjatë Lojërave Olimpike. Pavarësisht këtyre zhvillimeve Seuli zyrtar bëri me dije se presidenti do të takohet me delegacionin e Koresë së Veriut të shtunën. Moon Jae-in do të drekojë me 22 anëtarët e këtij ekipi, që përfshin kreun ceremonial të shtetit të Veriut, Kim Yong-nam dhe Kim Yo-jong, motra më e vogël e liderit Kim Jong-un.
Ndërkohë, zyrtarët e Koresë së Jugut bënë me dije se rreth 13 mijë trupa dhe 200 pajisje luftarake ishin vërejtur pranë një aeroporti në Phenian në atë që dukej të ishte një provë për parade. Celebrimet e këtij viti shënojnë 70-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Popullore Koreane, e cila u formua me 8 shkurt të 1948-ës.
Ndryshe nga herët e tjera, në këtë paradë nuk janë lejuar kamerat e mediave ndërkombëtare. Tregimi i forcës ushtarake erdhi para nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore, që zhvillohen nga 9 deri me 25 shkurt në Pejongçang të Koresë së Jugut. Të dy Koretë do të marshojnë nën një flamur të vetëm në ceremoninë hapëse.
Në këtë event do të marrë pjesë dhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence. Të mërkurën, numri dy i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se gjendet në jug për të ndaluar përdorimin e propagandës së delegacionit të koresë komuniste për të fshehur kërcënimin që vjen nga Pheniani. Megjithëse zyrtarët e SHBA-së nuk përjashtuan një takim të mundshëm, Koreja e Veriut thekson se nuk do të ketë një zhvillim të tillë me delegacionin e Uashingtonit./abcnews.al