Koreja e Veriut në zemër të takimit Biden-Moon

schedule14:53 - 21 Maj, 2021

schedule 14:53 - 21 Maj, 2021

Presidenti Joe Biden takohet të premten me Presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in. Zoti Moon është udhëheqësi i dytë botëror që do të pritet në Shtëpinë e Bardhë që nga fillimi i mandatit të Presidentit Biden. Pritet që kjo të jetë vizita e tij e fundit në Shtetet e Bashkuara si kreu i shtetit për Korenë e Jugut dhe mundësia e fundit për të përmbushur disa nga zotimet që pat bërë për mandatin e tij.

Dy udhëheqësit takohen vetëm pak javë pasi administrata e Presidentit Biden finalizoi strategjinë e saj ndaj Koresë së Veriut, duke sinjalizuar largim nga polikat e ndjekura nga administrata e mëparshme dhe duke njoftuar si parim “një qëndrim të kalibruar, praktik” ndaj regjimit komunist koreano-verior, siç e prezantoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Ky ndryshim në retorikë përbën zhvendosje nga strategjia e Presidentit Obama për “durim strategjik”. Administrata aktuale nuk ka premtuar ndonjë marrëveshje domethënëse, por duket e prirur për një qëndrim të ekuilibruar, thotë analistja e Qendrës Wilson në Uashington, Jean Lee.

“Kur përdoret retorika e zjarrtë, Koreja e Veriut e shfrytëzon si justifikim për të bërë prova me armatime. Sa herë bëjnë prova të tilla, arsenali i tyre zgjerohet. Qëndrimi i ekuilibruar që po përcjell si parim administrata e Presidentit Biden synon të shmangë shkallëzimin e tensioneve që u vunë re në fazat e para të administratës së Presidentit Trump,” thotë analistja.

Presidenti koreano-jugor Moon e ka përshëndetur këtë strategji që nuk përcakton objektiva të ngurta. Në një fjalim televiziv drejtuar vendit në katër vjetorin e ardhjes në post, ai bëri thirrje për hapa drejt rifillimit të dialogut mes dy Koreve dhe u zotua të bëjë ç’është e mundur “për të filluar numërimin e orëve drejt arritjes së paqes”.

“Do ta konsideroj vitin që më mbetet në detyrë si mundësinë e fundit për të avancuar nga një paqe e papërfunduar drejt një paqeje të pakthyeshme,” tha zoti Moon.

Pritet që Koreja e Veriut të jetë ndër temat kryesore në takimin e së premtes. Megjithëse dy udhëheqësit janë zotuar të punojnë së bashku drejt arritjes së objektivit për çarmatosjen bërthamore të gadishullit Korean, ekspertët thonë se strategjia e punës me etapa që po ndjek administrata aktuale amerikane mund të mos jetë e mjaftueshme për arritjen e objektivave të Presidentit Moon për të vënë në zbatim një marrëveshje për paqe.

Por analistët pohojnë se megjithë këto dallime në strategji, aleanca mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut mbetet një përparësi kryesore për të dyja vendet.

Vizita e Presidentit Moon Jae-in shënon takimin e dytë të Presidentit Biden me një kryetar shteti në Shtëpinë e Bardhë që nga fillimi i mandatit në janar. Ai priti në prill një tjetër udhëheqës aziatik, Kreyministrin e Japonisë, Yoshihide Suga./voa/