Koreja e veriut, “molla” e dytë e sherrit mes SHBA-ve dhe Kinës

schedule22:42 - 25 Gusht, 2018

schedule 22:42 - 25 Gusht, 2018

Krahas luftës tregtare, Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përfshirë në një tjetër kontest, që ka të bëjë me Korenë e Veriut. Një deklaratë e presidentit Trump se, Pekini nuk po ndihmon në çarmatimin bërthamor të Penianit është parë me shqetësim nga qeveria kineze.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë përplasur sërish, këtë herë për shkak të çështjes bërthamore të Koresë së Veriut. Pasi anuloi vizitën e sekretarit të Shtetit në Penian me argumentin se pala koreane nuk po u përmbahej zotimeve për asgjësimin e arsenalit bërthamor, presidenti Donald Trump akuzoi Pekinin se nuk po ndihmon në këtë proces.

“Për shkak të qëndrimit tonë të sertë në tregtinë me Kinën dyshoj se ky vend nuk po ndihmon në procesin e çarmatimit bërthamor”, tha Trump në Twitter.

Duke reaguar, Pekini zyrtar e ka cilësuar të papërgjegjshme deklaratën e shefit të Shtëpisë së Bardhë. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze deklaroi se akuza e presidentit amerikan bie ndesh me faktet dhe shtoi se Kina ka mbetur shumë e shqetësuar.

Qëndrimi i fundit i Trump në lidhje me çështjen bërthamore të Koresë së Veriut bie ndesh me atë të shprehur prej tij pas takimit të qershorit me liderin Kim Jong un, se vendi aziatik nuk përbënte me asnjë kërcënim.

Sipas mediave amerikane, shkak për këtë ndryshim janë bërë raportimet se shteti korean nuk po i çmonton impiantet bërthamore dhe madje po punon për prodhimin e raketave balistike. Nga ana tjetër, Kina është aleatja kryesore e Veriut dhe njëkohësisht rivalja strategjike numër 1 e Shteteve të Bashkuara në Azi.

Aktualisht dy fuqitë janë përfshirë në një luftë tarifash tregtare, pas kritikave të Trump për një deficit tregtar të Amerikës kundrejt Kinës dhe akuzave të tij për praktika të paligjshme tregtare nga ana e Pekinit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!