Koreja e Veriut i cilëson komente idiote fjalët e Pence

schedule11:52 - 24 Maj, 2018

schedule 11:52 - 24 Maj, 2018

Rriten përsëri tensionet mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Një zyrtare e Phenianit ka ofenduar nënpresidentin amerikan Majk Pens. Kjo është një tjetër shenjë që samiti mes Trump dhe Kim Jong-un mund të mos ndodhë.

Një zyrtare e lartë i Koresë së Veriut i ka cilësuar komentet e nënpresidentit amerikan Mike Pence si “idjote”, duke rritur paqartësitë lidhur me takimin e planifikuar mes lidërve të dy vendeve. Choe Son-hui tha se Pheniani nuk do të lutet për dialog dhe paralajmëroi për një tregim force bërthamore nëse diplomacia dështon. Kohëve të fundit, të dy palët kanë thënë se samiti ndërmjet Donald Trump dhe Kim Jong-un, i planifikuar të mbahet në Singapor me 12 qershor, mund të shtyhet apo të anulohet.

“Si një person i përfshirë në mardhëniet me Shtetet e Bashkuara, nuk mund ta asgjësoj habinë time me vërejtjet e tilla injorante dhe idjote që dalin nga goja e nënpresidentit amerikan. Nëse Uashingtoni do të na takojë ose do të na ndeshë në përplasje bërthamore është tërësisht e varur nga vendimi dhe sjellja e Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Choe në një artikull të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

Koreja komuniste ka insistuar se nuk do të heqë dorë nga arsenali i saj nuklear në mënyrë të njëanshme. Presidenti amerikan nënvizoi këtë javë se Veriu duhet të përmbushë kushtet në mënyrë që bisedimet të fillojnë. Zyrtarja Choe Son-hui është përfshirë në ndërveprime të ndryshme diplomatike me Shtetet e Bashkuara në dekadën e kaluar.

Komentet e saj të fundit vijnë disa ditë pasi Pence paralajmëroi Korenë e Veriut se “mund të përfundojë si Libia”, ku lideri Muammar Gaddafi u vra nga rebelët në 2011 pasi hoqi dorë nga armët bërthamore 8 vite më herët. Ndërkohë, Pheniani dhe vetë lideri Kim Jong-un kanë kërkuar nga SHBA dhe aleatët e saj siguri se nuk do të rrëzohet pushteti dhe se vendi komunist nuk do të pushtohet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!