Koreja e Veriut feston takimin Trump-Kim

schedule13:05 - 13 Qershor, 2018

schedule 13:05 - 13 Qershor, 2018

Mediat e Koresë së Veriut e konsiderojnë fitore të madhe samitin mes Kim Jong-un dhe presidentit amerikan Donald Trump. Madje raportojnë se SHBA mendon të heqë sanksionet ndaj Phenianit.

Koreja e Veriut ka festuar samitin mes udhëheqësit të tyre Kim Jong-un dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Singapor, duke e konsideruar si një fitore të madhe për vendin. Mediat e regjimit komunist raportojnë madje se SHBA ka ndërmend të heqë sanksionet. Dy liderët u takuan të martën dhe firmosën një deklaratë të shkurtër për çarmatosjen bërthamore dhe reduktimin e tensioneve. Presidenti Trump tha pas samitit se sanksionet do të qëndrojnë në fuqi për momentin dhe do të hiqen sapo “arsenali bërthamor të mos jetë më një faktor”.

Mediat e Koresë së Veriut kontrollohen ngushtë nga qeveria dhe raportojnë vetëm pozitivisht për aktivitetet e zyrtarëve. Raporton rrallë në aktivitetet e liderit Kim Jong-un në kohë reale. Por samiti i së martës në Singapor ishte lajmi i faqes së parë të mërkurën, me imazhe të shumta të Kim së bashku me Trump. Gazeta zyrtare Rodong Sinmun e quajti samitin “mbledhja e shekullit” në faqen e saj të parë. Agjensia shtetërore e medias KCNA publikoi një artikull entuziast në gjuhën angleze duke lavdëruar bisedimet si një ndërprerje historike nga e kaluara. Mediat e Phenainit raportojnë ndër të tjera se liderët e dy vendeve kanë rënë dakord që të shkëmbejnë vizita në shtetet respektive.

Ndërkohë, Trump njoftoi pas samitit në mënyrë të papritur se do t’i japë fund stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut. Lëvizja, e kërkuar prej shumë kohësh nga Pheniani, është parë si një lëshim shumë i madh ndaj Koresë së Veriut dhe ka surprizuar aleatët e SHBA-ve në rajon. Pentagoni ka siguruar këta të fundit për përkushtimin ndaj sigurisë./abcnews.al