Koreja e Veriut është shprehur e gatshme që të bisedojë në çdo kohë me Shtetet e Bashkuara. Qëndrimi i tyre i zbutur erdhi pavarësisht faktit se presidenti Donald Trump anuloi takimin me udhëheqësin Kim Jong-un.
Regjimi i udhëheqësit Kim Jong-un u shpreh me tone pozitive pasi presidenti amerikan Donald Trump anuloi samitin e shumëpritur mes dy vendeve që ishte planifikuar të zhvillohej në Singapor me 12 qershor. Koreja e Veriut njofton se dëshiron akoma që të bisedojë “në çdo kohë dhe në çdo formë” me kreun e Shtëpisë së Bardhë. Zëvendës ministri i jashtëm Kim Kye-gwan tha se vendimi i Trump është “shumë për të ardhur keq”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë fajësoi Korenë e Veriut për “armiqësi të hapur” lidhur me arsyen e anulimit të samitit. Nëse do të zhvillohej do të ishte takimi i parë në histori mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një lideri të Koresë Komuniste. Detajet e samitit të Singaporti ishin të paqarta. Por bisedimet duhej të ishin fokusuar në mënyrat e denuklarizimit të gadishullit Korean dhe në uljen e tensioneve.
Vetëm disa orë përpara njoftimit të Trump, Pheniani përmbushi premtimin duke shkatërruar zonën e testeve bërthamore. Anulimi i samitit u bë me anë të një letre nga presidenti amerikan drejtuar liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Më pas, një zyrtar i administratës së SHBA-ve dha detaje të tjera duke thënë se Pheniani ka treguar mungesë të thellë mirëbesimi. Ai tregoi se Koreja e Veriut ka thyer shumë premtime duke nisur që nga mungesa e korrektesës e deri tek retorika kërcënuese.
Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve nisën për shkak të raportimeve se administrata amerikane do të ndiqte shembullin e Libisë për çarmatosjen bërthamore të regjimit komunist. Por edhe pse ky opsion u përjashtu nga Trump, Koreja e Veriut duket se nuk ka pasur siguri të plotë se Kim Jong-un nuk do të rrëzohej nga pushteti dhe se nuk do të pushtoheshin. /abcnews.al