Koreja e Veriut dhuron show, shkatërron zonën e testeve bërthamore

schedule19:41 - 24 Maj, 2018

schedule 19:41 - 24 Maj, 2018

Koreja e Veriut ka shkatërruar plotësisht zonën, ku kryente testet bërthamore. Shkatërrimi u bë me anë të shpërthimeve me dinamit. Ky zhvillim është ndjekur nga shumë gazetarë ndërkombëtarë.

Koreja e Veriut ka shkatërruar plotësisht sajtin Punggye-ri, të vetmen zonë zyrtare të njohur deri më tani, në të cilën Pheniani kryente testet bërthamore. Në këtë mënyrë është bërë hapi i parë konkret drejt çarmatosjes nukleare. Ceremonia e mbylljes ka ndodhur në prezencën e një grupi gazetarësh ndërkombëtarë. Ata kanë marrë pjesë në mbikëqyrjen e shpërthimeve, me të cilët janë shkatërruar tunelet e impiantit.

Disa ekspertë mendojnë se kjo bën pjesë në strategjinë e Koresë së Veriut për të manipuluar opinionin ndërkombëtar. Në këtë mënyrë regjimi komunist dëshiron të tregojë për botën se është e hapur për negociata për paqen dhe po bën lëshime, në mënyrë që SHBA të mendojë lidhur me heqjen e sanksioneve ekonomike.

Rreth paradites së të mërkurës është regjistruar detonimi i parë me dinamit të vendosur në tunelin verior. Ndërsa gjatë pasdites ndodhi dhe shembja e dy tuneleve të tjerë. Gjithashtu me shpërthime të fuqishme janë shkatërruar dhe strukturat mbështetëse sipërfaqësore, duke përfshirë ndërtesa dhe magazina të ndryshme.

Pavarësisht se lideri Kim Jong-un tha fillimisht se do të ftojë inspektorët ndërkombëtarë për të marrë pjesë në shkatërrimin e zonë bërthamore, një gjë e tillë nuk ndodhi./abcnews.al