Koreja e Jugut e ka kaluar një ligj të ri, i cili synon që deri në vitin 2027 ta ndalojë plotësisht prerjen dhe shitjen e qenve për mishin e tyre. Ky ligj ka për qëllim t’i japë fund traditës shekullore të ngrënies së mishit të qenit.
Sipas ligjit të ri, ndalohet rritja apo therja e qenve për ngrënie, njëlloj siç nuk lejohet as shpërndarja apo shitja e mishit të tyre. Kushdo që shpallet fajtor për një vepër të tillë, mund të përfundojë në burg.
Sondazhet e fundit kanë treguar se më shumë njerëz tani dëshirojnë që ai të ndalohet dhe shumica e jugkoreanëve nuk hanë më mish qeni. Megjithatë, sondazhet gjithashtu tregojnë se një në çdo tre jugkoreanë akoma e kundërshtojnë ndalimin e mishit të qenit, edhe pse nuk e hanë atë.
Të martën, Parlamenti jugkorean e kaloi ligjin me 208 vota për dhe asnjë kundër. Qeveria e presidentit Yoon Suk Yeol e mbështet ndalimin e mishit të qenit, prandaj kalimi i ligjit ishte formalitet.
“Ky ligj synon të ndihmojë në mbrojtjen e vlerave të të drejtave të kafshëve, të cilat nënkuptojnë respekt për jetën dhe një bashkëjetesë harmonike mes njerëzve dhe kafshëve”, thuhet në legjislacion.
Ky ligj i ka zemëruar dhe nevrikosur shumë bujqit.
“Kjo është një shkelje e qartë nga shteti, sepse ata po na e cenojnë lirinë e zgjedhjes së profesionit. Ne nuk mund të rrimë duarkryq”, tha Son Won Hak, bujk dhe lider i Shoqatës së Bujqve në Korenë e Jugut.
Ai njoftoi se bujqit do të dërgojnë një peticion në Gjykatën Kushtetuese dhe do të protestojnë. Ata do të takohen të mërkurën për të biseduar për hapat e ardhshëm, shtoi ai./rel