Kore raciste në stadium, UEFA nuk fal Serbinë dhe Malin e Zi

schedule12:16 - 2 Nëntor, 2023

schedule 12:16 - 2 Nëntor, 2023

Tashmë gjithçka është zyrtare, Serbia dhe Mali i Zi do të zhvillojnë ndeshjet e radhës në “shtëpi”, ndaj Bullgarisë e Lituanisë, 19 e 16 nëntor, të vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, me dyer të mbyllura.

Kështu ka vendosur, “organi” më i lartë i futbollit në Evropë, UEFA, pas shpërthimit të koreve raciste nga të dyja tifozeritë e Serbisë e Malit të Zi, në përballjen e 17 tetorit të kaluar, e cila u fitua me rezultatin e thellë, 3 me 1, nga të zotët e “shtëpisë”.

Për Serbinë, një hap larg kualifikimit në fazën finale të turneut që do të zhvillohet në Gjermani në 2024, është ndeshja e dytë me dyer të mbyllura pas asaj të shtatorit kundër Hungarisë, dënim që erdhi edhe atë herë për koret raciste të tifozëve serbë, që me sjelljet e tyre të përsëritura po demonstrojnë vazhdimisht prapambetjen qytetare dhe urrejtjen etnike.

Përveç dënimit për të luajtur me dyer të mbyllura, Federata Serbe është ndëshkuar me 90 mijë euro gjobë pasi “nuk ka marrë masa kundër shitjes së biletave në tregun e zi”, ndërkohë që 20 mijë euro do të paguhen nga Federata e Malit të Zi. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!