Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Njëri ruante policinë, tjetri transportonte emigrantët në gjendje të dehur. Arrestohen dy vëllezërit në Korçë

schedule09:25 - 28 Shkurt, 2023

schedule 09:25 - 28 Shkurt, 2023

Dy vëllezër kanë rënë në prangat e policisë së Korçës për transport të emigrantëve të paligjshëm. Në pranga kanë rënë Enea Prendi, 33 vjeç dhe Aleksandër Prendi, 45 vjeç. 33 vjeçari u arrestua teksa po transportonte me makinë 13 emigrantë por pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se ishte i dehur.

Policia ka arrestuar edhe të vëllanë pasi e shoqëronte me një automjet tjetër. Nga hetimet e kryera, rezultoi se vëllai i 33-vjeçarit, Aleksandër Prendi shoqëronte me automjetin tip “BMW”, automjetin që transportonte emigrantët për ta sinjalizuar atë për prezencë të shërbimeve të policisë në rrugë.



Njoftimi i policisë:

Transportonte me një automjet që e drejtonte i dehur, 13 emigrantë, për të kaluar kufirin ilegalisht, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari.

Në pranga edhe vëllai i tij, pasi shoqëronte me një automjet tjetër, automjetin që transportonte emigrantët, për të sinjalizuar praninë e Policisë në rrugë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt përfitimeve monetare, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 6”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 33 vjeç dhe A. P., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në Laprakë, Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për 2 shtetas që do të transportonin emigrantë, për të kaluan kufirin ilegalisht, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në Qafë Plloçë, bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjeteve tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin E. P. dhe tip “BMW” me drejtues shtetasin A. P.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues 33-vjeçarin, u gjetën 13 emigrantë nga vendet e treta, të cilët ky shtetas do t’i transportonte drejt BE-së, kundrejt fitimit. Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se shtetasi E. P. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.

Nga hetimet e kryera, rezultoi se vëllai i 33-vjeçarit, shtetasi A. P. shoqëronte me automjetin tip “BMW”, automjetin që transportonte emigrantët, për të sinjalizuar shtetasin E. P., për prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!