Korabi mbetet pa trajner, dorëhiqet befasisht Klevis Dalipi

schedule10:43 - 25 Janar, 2021

schedule 10:43 - 25 Janar, 2021

Lëvizje befasuese te Korabi, skuadër që për disa javë ishte në krye të grupit A në Kategorinë e Parë. Dibranët kanë mbetur pa trajner, pasi Klevis Dalipi është larguar dhe kjo ndodh mes falënderimeve. Ish-sulmuesi, përmes një letre, i falënderon të gjithë në klubin e Korabit dhe bën me dije se kjo lëvizje është bërë që të nisë një sfidë të re, por nuk bën me dije detaje të tjera për të ardhmen e tij.

NJOFTIMI I DIBRANËVE – Falënderojmë Klevis Dalipin për kontributin dhe punën e bërë deri sot tek K.F Korabi, më poshtë është mesazhi i tij i plotë: “Të nderuar miq, bashkëpunëtorë dhe sportdashës dibran! Për gat 1 viti kam qenë në krye të klubit futbollistik “Korabi” si trajner i ekipit dhe mendoj se besimin e dhënë e kam shpërblyer me punë dhe përkushtim maksimal në drejtimin e konsolidimin e kësaj skuadre, që premton shumë në të ardhmen.

Rezultatet e arritura në kampionat dhe Kupë, përzgjedhja e afrimi i lojtarëve të rinj me shumë potencial, janë dëshmi e një ecurie mjaft të mirë të klubit përgjatë këtij viti, edhe pse me vështirësitë e veta në ndeshje e momente të caktuara.

Sot, më duhet të ndaj me ju, largimin tim nga drejtimi i “Korabit” për një sfidë tjetër profesionale… Ka qenë një eksperiencë mjaft pozitive dhe largohem i kënaqur për çfarë kemi arritur gjatë sezonit të kaluar dhe gjatë këtij gjysmë sezoni me “Korabin”.

Jam i bindur që kjo skuadër që kemi ndërtuar: kompakte, ambicioze, me energji të reja, si dhe me suportin e nevojshëm financiar, do të shkojë aty ku e meriton. Duke shpresuar në mirëkuptimin e këtij vendimi, gjej rastin të falënderoj jashtë mase për besimin dhe mbështetjen e pakursyer si për mua si trajner, ashtu edhe për të gjithë klubin futbollistik “Korabi”, presidentin e ekipit dhe njëherazi Kryetarin e Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj., administratorin Z. Meziu.

Njëkohësisht shpreh falënderimet e mia për bashkëpunimin korrekt dhe respektin karshi meje, stafin, lojtarët, si dhe gjithë tifozerinë e zjarrtë dibrane për mbështetjen e jashtëzakonshme morale që i dhurojnë skuadrës në çdo ndeshje. Faleminderit dhe suksese më tej Korab”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!