Korabi ia ka dalë në fund të fitojë me Dinamon dhe të kryesojë i vetëm në grupin A të Kategorisë së Parë. Dibranët shënuan në shtesë me Xhabrahimin, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Kastrioti ka shfrytëzuar ndalimin e Erzenit dhe është ngjitur në vendin e dytë.
Krutanët ia dolën të fitojnë ndaj Burrelit në shtëpi me rezultatin e pastër 2-0, duke u ngjitur në kuotën e 12 pikëve. Për skuadrën e Ramadan Nreut nuk ishte shumë e lehtë, pasi vetëm në të 66′ ia dolën të zhbllokonin ndeshjen me mesfushorin Xhulio Mehmeti. Disa minuta para përfundimit të takimit ishte sulmuesi Spartak Ajazi që shënoi edhe golin e qetësisë dhe Kastrioti “arkivoi” fitoren me matjanët.
Një tjetër ekip që mori pikët e plota sot ishte Veleçiku, që pasi mposhti një javë më parë Egnatian, këtë herë ia ka dalë të regjistrojë rezultat pozitiv edhe me Tërbunin. Ujka dhe Toma shënuan dy herë dhe skuadra koplikase e la vendin e parafundit të renditjes.
Egnatia nuk ia ka dalë të fitojë në shtëpi dhe ky mision nuk ka qenë i lehtë për rrogozhinasit, që u përballën me Erzenin. Shijakasit donin të ruanin kreun, por për këtë duhet të shënonin. Ky takim u mbyll pa gola dhe skuadrat ndanë nga një pikë.
KATEGORIA E PARË – JAVA 6
E shtunë, më 26 tetor, ora 14:00
Kastrioti-Burreli 2-0
Shënues: Mehmeti 66′, Ajazi 83′
Veleçiku-Tërbuni 2-0
Shënues: Ujka 23′, Toma 45′
Korabi-Dinamo 1-0
Shënues: Xhabrahimi 90′ (pen.)
Egnatia-Erzeni 0-0
E diel, më 27 tetor, ora 13:00
Besëlidhja-Shkumbini
/abcnews.al