Kategoria e parë ka zhvilluar ditën e sotme 8 sfidat e saj, teksa është rihapur gara në këtë kategori.
Korabi ka arritur të fitojë përballë Bylisit të vendit të parë, dhe të mbajë gjallë shpresat për ngjitjen në Superligë. Golin e vetëm e ka shënuar Taulant Marku i cili në këtë mënyrë përveç 3 pikëve që i siguroi skuadrës së tij, i dha edhe një asist Erzenit, të cilët mposhtën Maliqin me rezultatin 1-0.
Apolonia-Tomori përfundoi me rezultatin 1-0. Mbrojtësi Diop i dha fitoren fierakëve, ndërsa Burreli ka bërë detyrën në shtëpi, pasi i shënoi 3 gola Besëlidhjen që rrezikon shumë në pjesën e poshtme të tabelës.
Lushnja ka marrë tre pikë shumë të vlefshme në garën për mbijetesë, pasi mposhti me golin e Lajthisë Besën e Kavajës. Shpreson shumë edhe Turbina, që mori tre pikë në transfertë ndaj Pogradecit rival. Vidaj dhe Hasaj ishin heronjtë e cërrikasve.
Një tjetër goditje e ka marrë Shkumbini, këtë herë në shtëpi nga Tërbuni që fitoi 2-1. Mezini dhe Peqini ishin autorët e golave për skuadrën pukjane. Vora vijon me rezultatet pozitive këtë vit dhe këtë herë ka mposhtur 4-1 Butrintin dhe del nga zona e rënies direkt për momentin.
/f.a/abcnews.al