Një emigrant i paligjshëm shqiptar kërkon me ngulm të kthehet në Shqipëri, pasi u kap duke u kujdesur për bimët e kanabisit, vlera e së cilave shkonte deri në 210 mijë paund.
Arlind Mullaj shkoi në Mbretërinë e Bashkuar i fshehur në anën e pasme të një kamioni, e pavarësisht peripecive që kaloi, mediat britanike shkruajnë se tashmë ai planifikon të kthehet në vendlindje.
Mullaj mësohet se kishte nisur punë në një lavazh makinash dhe pronari i saj i ofroi mundësinë për të bërë para, duke qenë se 31-vjeçari e pëlqente dhe e përdorte kanabisin.
Ai e pranoi ofertën dhe u kthye në kopshtarin e bimëve të kanabisit, të cilat i kishte mbjellë në disa dhoma në një shtëpi në Little Cater Lane, Mansfield. 31-vjeçari u pagua 5 mijë paund për të qëndruar në këtë shtëpi për 3 muajt e parë. Atij iu mundësua akomodimi dhe iu dha gjithashtu 100 paund për ushqim çdo 10 ditë.
Por gjithçka mori fund kur policia u shfaq me urdhër-arrest në banesë, më 29 Mars.
Hetuesit sqaruan se oficerët gjetën një banesë të përshtatur tërësisht për prodhimin e kanabisit dhe se i pandehuri ishte prezent gjatë momentit që u futën brenda.
Vlera e të mbjellave, sipas autoriteteve britanike, përllogaritej mes 40 mijë paund deri në 210 mijë paund, në varësi të madhësisë që do të ishin në momentin që do të shiteshin.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar në gjykatën e Nottingham të premten, hetuesit thanë se Mullaj e përshkruajti veten si kopshtar.
Ndërsa pala mbrojtëse tha se 31-vjeçari mezi pret të kthehet në Shqipëri, pasi nëna e tij është në gjendje të vështirë ekonomike. Ai po mban gjithashtu financiarisht të fejuarën e tij që jeton po në vendin tonë.
“Ai shpreson që të punojë si peshkatar kur të kthehet. Nëpërmjet meje ai uron që të bindë gjykatën për pendesën e tij dhe kërkon falje“, tha mbrojtja.
Në përfundim, gjykata e dënoi shqiptarin me 14 muaj burg./tvklan.al