Kontrolli i veriut/ Eksperti: Kosova duhet të gjejë zgjidhje përmes instrumenteve politike

schedule17:51 - 24 Shtator, 2024

schedule 17:51 - 24 Shtator, 2024

PRISHTINË- Kosova përkujtoi këtë të martë 1-vjetorin e sulmit të armatosur nga grupet serbe, në të cilin u vra në krye të detyrës polici Afrim Bunjaku.

Për këtë ngjarje, si Kosova ashtu dhe partnerët ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që organizatorët dhe protagonistët e atij sulmi të dalin para drejtësisë dhe të japin llogari për aktet kriminale.

Bekim Blakaj nga Qendra për të Drejtën Humanitare, tha në “Ballkan Update” se zgjidhja e situatës në veri duhet të kalojë  përmes politikës dhe jo veprimeve të tjera, të cilat sipas tij mund të regjistronin një regres të madh për vendin.

“Zgjidhja e frytshme e mundshme është ajo politike. Çfarëdo tentimi tjetër, ai me forcë dhe me armë, kam frikë se do ishte i “kobshëm” për ne, prandaj zgjidhja politike do ishte mënyra e vetme që do të arrinte integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Nëse nuk ka bashkëpunim me ndërkombëtarët, sidomos me SHBA, atëherë besoj se pozita e Kosovës do të degradojë edhe më shumë dhe kjo do të rezultojë me një humbje të madhe për Kosovën. Qeveria duhet të bëjë maksimumin, që përmes dialogut, është që të ketë një dialog me serbët e Kosovës. “Status qou” nuk i konvenon Kosovës. Nuk kemi njohje dhe pozita e Kosovës është duke u dobësuar. Është momenti që përmes dialogut, të mbërrihet në zgjidhje përfundimtare, sigurisht duke ruajtur kushtetutën dhe integritetin territorial”, tha ai.

Ai po ashtu këmbënguli, që serbët lokalë në Kosovë duhet të integrohen dhe zgjidhjen e tyre ta shohin në Kosovë dhe jo në Beograd.

“Qytetarët serbë në veri duhet të integrohen në shoqërinë kosovare. Kjo nuk ka ndonjë alternativë dhe duke mos e bërë këtë, ata sigurisht që do të rreshtohen nga elementi ekstrem serb. Institucionet e Kosovës duhet të bëjnë maksimumin që t’i integrojnë qytetarët serbë në Kosovë”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!