Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zhvilluar një aksion të befasishëm në burgun e Rrogozhinës e Reçit. Gazetari i Abc Ermal Vija bën me dije tetë grupet e forcave operacionale të DPB, kanë kryer kontrolle të befasishme në IEVP Rrogozhinë dhe Reç përgjatë fashës orare 17:00-20:55 të ditën së sotme.
Në burgun e Rrogozhinës janë kontrolluar 8 dhoma ku janë konstatuar pajisje elektronike si televizorë, aparatura digjitalbi, të cilat i kishin të cenuar elementët e sigurisë “vulat”. Një orë dore e gjetur nga grupet e kontrollit, dyshohet se përdorej si pajisje komunikimi.
Ndërkohë në IEVP Reç është gjetur një pajisje komunikimi Android e modifikuar në një kuti kartoni, e cila e lidhur me televizorin mund të realizojë ndërveprim në rrjetet sociale. Po ashtu gjatë kontrollit u gjetën edhe një thikë e improvizuar, një radio dore e modifikuar me dalje USB dhe Antenë etj. Materialet u janë kaluar ekspertëve të SHKB-së së burgjeve.
Të gjitha pajisjet e sekuestruara janë përdorur nga të burgosurit për të mbajtur lidhje me botën jashtë.
Ky nuk është aksioni i vetëm në burgje. Disa ditë më parë Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë ushtruar kontrolle për gjetjen e sendeve të ndaluara në IEVP, Peqin, Korçë dhe Elbasan. Janë kontrolluar 11 dhoma në IEVP Elbasan në Godinën A dhe B, 13 dhoma në IEVP Peqin dhe 14 dhoma në IEVP Korçë.
Në përfundim të kontrollit janë konstatuar këto sende të ndaluara: Një orë e dyshuar si celular, dy playstation 3 të dyshuar që përdoren si mjete komunikimi, dy qese plastike me me pluhur të bardhë dyshuar për substanca narkotike. Materialet i janë dorëzuar për vazhdimin e veprimeve hetimore oficerëve të SHKKB dhe Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Elbasan. Aksioni si duket vazhdon.
be.k/abcnews.al