Kontrata e Berishës, SPAK nis hetimet/ Lobimi 6 milionë dollarësh, prokuroria verifikon shifrën dhe burimin

schedule15:11 - 27 Prill, 2025

schedule 15:11 - 27 Prill, 2025

SPAK konfirmon zyrtarisht se ka nisur hetimet për kontratën e Partisë Demokratike me një kompani lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prokuroria e Posaçme do të hetojë shumen dhe burimin e financimit të kontratës miliona dollarëshe. Lajmi konfirmohet nga SPAK dhe hetimi ka nisur menjëherë pas publikimit të kontratës në media.

ABC News publikoi kontratën ditën e shtunë, ajo mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD Flamur Noka me garantor shqiptaro-amerikanin Nuredin Seci, në të cilën njoftohej se PD do t’i paguajë kompanisë amerikane 6 milionë dollarë për dy vite.

PD ka parapaguar deri tani 750 mijë dollarë, ndërsa pjesën tjetër do ta paguajë me 250 mijë dollarë në muaj për një periudhë dy vjeçare.  Edhe pse, në detaje, është kujdesur ta fshehë qëllimin personal, me ato për krijimin e marrëdhënieve me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan, mbështetja për reforma për demokracinë e kundër korrupsionit apo përvojë nga SHBA për të realizuar objektivat e PD.

Jo rastësisht, PD ka përzgjedhur një kompani lobimi, të zotëruar nga “trampistë”.

“Continental Strategy”, është themeluar nga ish këshilltari i presidentit Trump, Carlo Trujillo. Por në gjirin e kësaj firme, ka disa njerëz të afërt me Tramp.

Kjo kompani promovoi si drejtoreshe Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump. Alberto Martinez, një ish shef stafi i sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, është punësuar si një partner menaxhues, por dhe zëvendësdrejtorin politik të fushatës së Trump, Alex Garcia si partner.

Nga selia blu, kontratën e ka firmosur sekretari u përgjithshëm i PD, Flamur Noka, kurse si garantues i pagesave ka dalë një shqiptaro amerikan me emrin Nuredin Seci. Sipas selisë blu, kjo është një iniciativë e tija dhe disa emigrantëve shqiptarë në SHBA, të cilët do të paguajnë 6 milionë dollarë vullnetarisht, dhe PD ka firmosur vetëm dakordësinë, por jo barrën financiare.

Kontrata është firmosur më 4 prill, dhe PD e ka marrë edhe shërbimin e parë. Një telefonatë një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, i cili drejton departamentin që mban në fuqi “non gratën” e Berishës.

Por a është kjo kontratë, pagesa për konsulentin amerikan, Chris LaCivita?

Abc News u interesua pranë Partisë Demokratike më të njëjtën pyetje, por në një reagim zyrtar, selia blu nuk iu përgjigj interesit dhe as nuk sqaroi nëse është kjo manovra që ka zgjedhur Berisha për të paguar fushuesin e Trump, duke anashkaluar detyrimet ligjore.

Doktori ndërkohë ka premtuar se do e publikojë kontratën me LaCivita, por e ka shtyrë disa herë.

LaCivita nuk përmendet në këtë kontratë lobimit. Por kompania e kontraktuar, ka si drejtoreshë Katie Wiles, vajza e Susie Wiles. Kjo e fundit bashkë me LaCivita bashkëdrejtuan fushatën e Trump në 2024.

Po ashtu, në oborrin e doktorit, prej muajit shkurt, sorollatet lobisti Paul Manafort, roli i të cilit mbetet i paqartë për momentin.

Ky është lobimi i dytë i Berishës për “non gratën” në SHBA. Herën e parë, ai kontraktoi kompaninë e Charles Black, ish ortak i Paul Manafort.

Kontrata ishte vullnetare, pa pagesë, por Black dështoi ti heqë “non gratën” Berishës, sa kohë ne krye te Dash, qëndronte Antoni Blinken./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!