Kontejneri me 119 kg kokainë, Xhaferaj: Tregues i aleancës mes qeverisë e krimit

schedule11:22 - 3 Janar, 2022

schedule 11:22 - 3 Janar, 2022

Deputeti i PD Ferdinand Xhaferaj ka reaguar pas kapjes së kontejnerit me banane ku u gjetën 119 kg kokainë të nisura nga Amerika Latine drejt magazinave të kompanisë Zico Sh A në zonën e Vaqarit.

Në një postim në rrjete sociale Xhaferaj shkruan se ky është tregues i aleancës mes qeverisë dhe krimit të organizuar. Deputeti i PD shton se 119 kilogramët e kokainës që mbërritën në Durrës gjatë ndërrimit të viteve, sipas tij janë një pjesë e vogël e trafikut të madh të drogës që kryhet përmes Shqipërisë.

Xhaferaj thotë se Partia Demokratike dhe dega Durrës e saj kanë denoncuar me kohë përdorimin e Portit për interesat e ngushta të krimit të organizuar dhe për trafik pa pasoja të drogës.

Postimi i Xhaferit:

Një vit i ri i bardhë në Portin e Oligarkëve. 119 kilogramë kokainë mbërritën në Durrës gjatë ndërrimit të viteve, një pjesë e vogël e trafikut të madh të drogës që kryhet përmes Shqipërisë.  Sigurisht masa për ta ndaluar nuk mund të merren nga një qeveri që ka siguruar të tre mandatet përmes përdorimit të parave të pista dhe aleancës me krimin e organizuar.

Partia Demokratike dhe dega Durrës e saj kanë denoncuar me kohë përdorimin e Portit për interesat e ngushta të krimit të organizuar dhe për trafik pa pasoja të drogës, por vlen të theksohet se:

– Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar vlerëson se rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në Tiranë nga 2017-2019 nuk justifikojnë burimet e tyre financiare.

– Në këtë periudhë 3-vjeçare vlerësohet se janë pastruar në aktivitetin e ndërtimit rreth 1.6 miliardë euro para të pista!

– Gjatë pandemisë, gjithçka në ekonominë shqiptare pothuajse ndaloi, ekonomia ra me 10%, ndërsa ndërtimet u rritën me mbi 5%.

Pa bekimin e kryeministrit dhe të krybashkiakut nuk merret dot asnjë leje ndërtimi për rezidenca dhe resorte që kushtojnë miliona euro dhe asnjë institucion nuk merr masa për të hetuar origjinën e këtyre investimeve dhe parave.

119 kilogramët e kokainës së Durrësit janë një këmbanë e fortë alarmi kundër qeverisjes së kalbur të Edi Ramës, që gërryen çdo ditë besimin e qytetarëve tek shteti i së drejtës.

Qartazi, e vetmja zgjidhje për këtë gjendje të papranueshme që mban peng zgjedhjet e lira, të ardhmen e qytetarëve dhe të vendit është propozimi I Partisë Demokratike për pastrimin e politikës përmes vetingut në politikë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!