Kontabilistët dhe audituesit kërkojnë shtyrjen e fiskalizimit, frika për një proces të pazbatueshëm

schedule07:45 - 18 Qershor, 2021

schedule 07:45 - 18 Qershor, 2021

Nga 1 korriku 2021 pritet të nisë zbatimin faze e dytë e procesit të fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve.

Administrata Tatimore llogarit në fazën e dytë përfshirjen e 51 mijë bizneseve.

Por, procesi rrezikon të dështojë që pa nisur mirë. Ritmi i pajisjes bizneseve me certifikatën elektronike, që është një nga elementët e domosdoshëm që siguron përdorimin e portalit të Faturës Elektronike dhe kryerjen e veprimeve me të, është i ulët.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon aplikimin për certifikatë përmes platformës e-Albania, bëri të ditur për Monitor se deri dje (17.6.2021), janë pajisur me certifikatë elektronike për sistemin e fiskalizimit 18,115 biznese, ose vetëm 35% e totalit të subjekteve që pritet të përfshihen në fiskalizim nga 1 korriku.

Ekspertët: Ka vështirësi të shumta

Kur mbeten më pak se dy javë nga fillimi i zbatimit të fazës së dytë, edhe ekspertët kontabël ngrenë si shqetësim vështirësitë e shumta që do të hasen deri te pazbatueshmëria në tërësi e procesit. Për ta është e domosdoshme që nisja e fazës së dytë të shtyhet deri në fund të vitit dhe faza e fundit e fiskalizimit për transaksionet me para në dorë të zbatohet pas 5 vitesh. Edhe kompanitë e tregtimit të kasave dhe zgjedhjeve software rekomanduan shtyrje të afatit për fiskalizmin e faturave të biznesit të vogël, pasi për disa hallka të procesit është e domosdoshme t’i jepet më shumë kohë kësaj kategorie subjektesh.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo tha për Monitor se nga konsultimet me tatimpaguesit rezultojnë shumë paqartësi për zbatimin e procesit. Z. Dhamo veçoi disa raste se kur bizneset do të gjenden në vështirësi për lëshimin e faturave elektronike, pasi mungon përcaktimi në legjislacion. Sipas tij me qëllim që procesi të mos dështojë dhe tatimpaguesit të mos dëmtohen është e domosdoshme që nisja e fazës së dytë të shtyhet deri 31 dhjetor 2021 dhe të bëhen rregullimet e nevojshme në legjislacion.

“Për shembull një problem që do të lindë është arkëtimi i pjesshëm i faturave. Si do të klasifikohen këto raste, si: arkëtim i mëvonshëm apo arkëtim me dorë. Për shitjet e mallit jashtë vendit (rastet e shitjes së mallit pa u zhdoganuar), në rast se një subjekt blen mall në një kompani të huaj dhe i duhet të transferojë shitjen në një tjetër klient që është jashtë vendit.

Si duhet të veprojë në këtë rast subjekti? Po në rastin e shërbimeve ‘delivery’ si do të veprohet, pasi fatura bëhet në dyqan, ndërsa pagesa kryhet në momentin e dorëzimit të porosisë. Është e pamundur që nga motoristi apo transportuesi të lëshohet fatura në momentin e dorëzimit të porosisë”, nënvizon z. Dhamo.

Për bizneset e vogla, kontabilisti Sotiraq Dhamo sugjeron se duhet të gjendet një rrugë tjetër për t’i shpjeguar se si do të funksionojë lëshimi i faturave elektronike. “Administrata tatimore po zhvillon trajnime online, por biznesi i vogël e ka të pamundur të gjejë kohë për ndjekjen e tyre. Nga administrata tatimore duhet të gjendet një rrugë tjetër për të arritur te bizneset e vogla”.

Edhe audituesi ligjor Bujar Bendo e sheh si të parealizueshëm procesin e fiskalizimit, pasi jo vetëm bizneset, por edhe administrata tatimore, doganore, kompanitë e certifikuara për programet software dhe institucionet financiare nuk janë ende gati. Z. Bendo rekomandon që faza e parë duhet të zgjasë 36 muaj, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e zhvilluara që kanë zbatuar para Shqipërisë fiskalizimin.

“Ne vend ekziston klima e një sistemi financiar jo të besueshëm, për shkak të pastrimit të parave. Për këtë arsye të gjithë përplasen në banka, pra çdo transaksion duhet të jetë bankar dhe transparent. Në banka ka dy alternative të ofrimit të shërbimit, online dhe me paraqitjen në sportele. Bizneset më tepër preferojnë që veprimet t’i bëjnë në sportele, pasi 90% e tyre nuk e njohin anën informatike për të përdorur teknologjinë. Kjo tregon se ambienti i biznesit, ende nuk është i përgatitur për zbatimin e këtij procesi. Edhe administrata tatimore, doganore dhe kompanitë e certifikuara nuk janë gati.

Për këto arsye procesi nuk ka për t’u zbatuar tani, duhet të marrë më shumë kohë. Faza e para e procesit që parashikon fiskalizimin për transaksionet pa para në dorë mes enteve publike dhe sipërmarrjes duhet të zgjaste 36 muaj. Më pas të kalohej në fazën e dytë. Për të kaluar te faza e fundit, për transaksionet me para në dorë mes bizneseve dhe konsumatorit maksimumi duhet t’u lihej 5 vjet kohë zbatimit të dy fazave të para”.

Shtyrje të afatit të fiskalizimit për biznesin e vogël rekomandoi edhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë A.E Distribution shpk, z. Bledar Balla. Përfaqësuesi i kompanisë A. E Distrubution të tregtimit të pajisjeve fiskale dhe zgjedhjeve software-ike, përmend 6 elementë të procesit, që nga marrja e certifikatës elektronike dhe deri te trajnimet që do të kërkonin më shumë afat për t’u realizuar.

“Nuk jemi kundër procesit të fiskalizimit, por do të duhej të ishte kryer një analizë më e mirëmenduar dhe periudha e tranzicionit të ishte më e gjatë, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për abuzime. Në legjislacion është parashikuar që nga 1 shtatori të nisë faza e fiskalizimit për bizneset e vogla, ne sugjerojmë se për këtë fashë procesi duhet të shtyhet”.

Procesi i lëshimit të faturave elektronike ose siç njihet ndryshe fiskalizmi nisi zbatimin nga 1 janari 2021. Para zbatimit të fazës së parë procesi është shtyrë katër herë. Sipas të dhënave të administratës tatimore nga 1 janari deri 6 qershor 2021 numri i tatimpaguesve të fiskalizuar në total është 4,581; fatura me para në dorë të lëshuara janë 2,097,080; fatura pa para në dorë të lëshuara janë 69,647; numri i vizitave informuese të realizuara në biznese në total është 25,274; numri i trajnimeve që kanë marrë bizneset të realizuara në total janë 24,091 dhe numri i trajnimeve që kanë marrë kontabilistët në total janë 3,143.

Faza e tretë nis në shtator për të gjithë

Faza e tretë fillon në 1 shtator dhe përfshin transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar.

Ndërsa faza e parë, për transaksionet me organet publike, që ka nisur nga 1 janari 2021, ishte më e kufizuar, faza e dytë që nis në korrik dhe e treta në shtator do të përfshijnë të gjitha subjekteve në vend, me përjashtim të ambulantëve dhe fermerëve (vlerësohet rreth 80 mijë në total)./ Dorina Azo/monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!