TIRANË– Parlamenti hapi dyert këtë të premte për të pritur deputetët e Legjislaturës së 11-të. Nën drejtimin e socialistit Vasil Llajo, deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit u betuan një e nga një, pasi mandati I tyre u verifikua nga një komision i përkohshëm.
Por jo të gjithë ishin në sallë, disa demokratë, përfshirë edhe Jozefina Topallin do të betohen në seancën e rradhës. Ndërsa me të njëjtën lëvizje si në 2021, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo hoqën dorë nga mandati ndërsa burime thanë se Psd do të aktivizojë listën e hapur të Shkodrës.
Me 84 vota pro dhe 3 kundër, Niko Peleshi u zgjodh kryetar i Kuvendit.
Demokratët bojkotuan procesin e votimit duke hedhur në kutitë e votimit pankarta me foto të kabinetit qeveritar apo të ish agjentit të FBI-së MCGonigal. I vetmi i cili doli jashtë rreshtit ishte Tritan Shehu.
Votën në kutinë e votimit e hodhën edhe Tedi Mula i PSD, Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë dhe Ana Dajko e Shqipëria Bëhet. Ndërsa në fjalimin e parë si kryeparlamentar, Niko Peleshi, kërkoi një standard të ri në zbatimin e kushtetutës dhe kodit etik.
Java e ardhshme do të jetë intensive për Niko Peleshin. Të hënën ai ftoi krerët e grupeve parlamentare për të përcaktuar emrat në kryesitë dhe anëtarësinë e komisioneve, si dhe përbërjen e Byrosë dhe delegacioneve parlamentare.
Të martën do të mbledhë Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet për të shqyrtuar draftin e rregullores së re, e cila do të votohet pasdite në një seancë të posaçme. Një ditë më pas do të mblidhet konferenca e kryetareve për të përcaktuar kohën e debatit për prezantimin e programit dhe kabinetit qeveritar.
Ndërsa të enjten do të nisë seanca maratonë e cila do të zgjasë dy dite. Pas miratimit në kuvend, në orët e pasdites, qeveria e re do të betohet në presidencë./abcnews.al

