Konstituohet Këshilli Bashkiak në Librazhd

schedule14:33 - 1 Gusht, 2019

schedule 14:33 - 1 Gusht, 2019

Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra ka marrë mandatin e dytë në krye të institucionit që drejtoi prej 4 vitesh. Pas konstituimit të Këshillit Bashkiak, Gurra do të nisë zyrtarisht detyrën për mandatin e fituar në zgjedhjet e 30 Qershorit.

Kastriot Gurra betohet për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Librazhdit. Pas konstituimit të këshillit, Gurra u rikonfirmua në detyrë në mbledhjen ku morën pjesë edhe deputetë të mazhorancës.

Pavarësisht se konkurroi i vetëm në zgjedhjet e 30 Qershorit, Gurra u shpreh optimist se ka mbështetjen e të gjithë qytetarëve dhe do të vijojë projektet e nisura gjatë mandatit të parë.

“Ne do vazhdojmë të shërbejmë për të gjithë banorët e Bashkisë së Librazhdit si atë masë masive, e cila qoftë në 2015, qoftë në 2017, qoftë në 2019 në 30 Qershor na besojnë pasivisht, ashtu sikurse për pjesën tjetër e cila kërkon më shumë nga ne. Sfida jonë është të plotësojmë edhe kërkesat e tyre duke bërë që në Librazhd ndryshimi të jetë akoma dhe më i prekshëm”, tha Gurra.

I pranishëm në mbledhje, numri dy i Partisë Socialiste, njëkohësisht deputet i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, u shpreh optimist për punën që do të bëjë Gurra për transformimin e zonës. Duke iu referuar edhe procesit të 30 Qershorit, Balla kujtoi se në zgjedhje janë gjithmonë qytetarët ata që vendosin.

“Unë jam shumë krenar që në 4 vitet e para të kryetarit të Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurrës ne kemi bërë një punë të madhe transformuese, por të gjithë e dimë që ky është vetëm se fillimi i një procesi të madhe transformues. 30 Qershori ishte një ditë e rëndësishme ku fitoi sovraniteti i popullit dhe ku fjala sovran mori një vlerë të shtuar ashtu siç i ka hije sepse në fund të fundit është populli ai që vendos, jo partitë”, tha Balla.

Bashkia Librazhd ka gjashtë njësi vendore Hotolisht, Qendër, Polis, Orenjë, Lunik e Stëblevë dhe administron një popullsi prej 45 mijë banorësh./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!