Projekti për ndërtimin e “Parkut të Besimit” hyn në fazën finale. 12 kompani prestigjoze ndërkombëtare garojnë për ‘qeshinë mbi tortë’, parkun që do të konkretizojë traditën shekullore unike shqiptare, atë të tolerancës e harmonisë fetare.
I shtrirë në një hapësirë prej 210 mijë m2 në Petrelë të Tiranës, dikur kazerma ushtarake, kryeministri Rama i shoqëruar nga kryebashkiakja e komanduar e kryeqytetit, Anuela Ristani, tha në fjalën e tij se ky parku do të jetë vetëm një faltore adhurimi, njëkohësisht pikë turistike.
“Parku i Besimit nuk është simbol i fesë, krejt tjetër është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje se në çfarë besoni, vetëm ju fton të vini të mrekulloheni tek qëndresa e heshtur e pemëve të fikut, të vini re formën e pemëve të ullirit në erë dhe të kuptoni atë çfarë kuptuan paraardhësit tanë, që zhvillimi nuk ishte vetëm thjesht një sfond, ishte në fakt shkrim i shenjtë, dhe në fakt dua që t’ju them diçka nga ato ku thotë: “Zoti mbolli kopshtin e Edenit në lindje dhe pastaj vendosi njeriun”.”
Rama sqaroi se ky park, do të jetë tërësisht natyror, dhe do të ketë synim vetëm trashëgiminë.
“Kjo është deuteronomia dhe në fakt nuk do ketë simbole, as statuja krenarie a fuqie e pushteti këtu në këtë park, vetëm pemë dhe ujë sepse uji po kështu është i shenjtë. Ndaj ky park e nderon edhe këtë trashëgimi, por po kështu na bën thirrje të gjithëve të ecim përpara. A mundemi ende ta nderojmë këtë trashëgimi? A mund ta njohim të shenjtën, jo vetëm në lutje, por edhe në rritjen me durim të një pemë? Është po kështu përgjigje ndaj dhunës që bëhet në emër të së shenjtës.”
Vizioni i Parkut të Besimit synon krijimin e një hapësire unike në zemër të Petrelës, simbol i unitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Në garë janë kompani prestigjoze nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda, Italia. / abcnews.al /

