Konjufca: Zgjedhjet në veri vetëm sipas ligjit

schedule08:51 - 24 Qershor, 2023

schedule 08:51 - 24 Qershor, 2023

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca thotë se ende s’ka pajtim për zgjidhjen e situatës në veri, përkundër takimit të së enjtes në Bruksel. Ai shton se dakordimi për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore është vetëm në nivelin politik, por jo për mënyrën sesi të ecet përpara për deeskalimin e situatës. Sipas tij, zgjedhjet e reja në veri duhet të organizohen vetëm në përputhje me kuadrin ligjor dhe kushtetues të Kosovës.

Konjufca për KosovaPress akuzon Serbinë se po kërkon autonomi territoriale në veri, derisa thekson se do t’i bindin ndërkombëtarët se Kosova është në të drejtën e saj për situatën në katër komunat veriore. Kryeparlamentari Konjufca flet edhe për rrëmbimin e tre policëve nga forcat serbe, iniciativën e presidentes Osmani për unifikimin e spektrit politik dhe gatishmërinë e opozitës për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Konjufca deklaron se qëllimi kryesor i Serbisë është që përmes krijimit të një vakumi institucional në veri dhe pastaj trazirave të vendose Kosovën para një fakti të kryer, që pastaj të kërkojë një zgjidhje politike për një formë autonomie territoriale.

Mirëpo, ai thotë se kjo është e papranueshme për Kosovën.

Konjufca shprehet i vendosur se do t’i bindin ndërkombëtarët që Kosova është në të drejtën e vet për vendosjen e ligjshmërisë në veri.

Ai përmend edhe arrestimin e të dyshuarve për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Në anën tjetër, Konjufca kërkon lirimin pakushte të policëve të rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Madje, ai shton se në kthimin e tyre në shtëpi nuk duhet të ketë asnjë kushtëzim nga ana e Serbisë.

Krahas këtyre, Konjufca, kritikon kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku që nuk shkuan në takim të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani.

Sa i përket mocionit të mosbesimit të përmendur nga AAK-ja, por edhe kërkesave së fundmi të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi për shpërndarje të Kuvendit, Konjfuca, thotë se i vetmi siklet i opozitës është se për të rrëzuar Qeverinë Kurti, iu duhen edhe votat e Listës Serbe, ndaj ky opsion është pa perspektivë.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell të enjten në Bruksel ka pritur në takime ndara, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithëse, Borrell ka theksuar nevojën për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, palët ende nuk janë marrë vesh për formën si të ndodhë kjo.

Kryeministri Kurti është shprehur i hapur për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, por ka thënë se kjo duhet të ndodhë vetëm me zgjidhje ligjore dhe kushtetuese. Ai ka theksuar se deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!